Dy ish-deputetë kosovarë, Hajredin Hyseni e Nait Hasani, rrëfejnë tragjedinë që kishin përjetuar në njërën nga masakrat më të tmerrshme që para 10 vjetësh bëri regjimi i Millosheviqit në Kosovë, brenda grilave të burgut të Dubravës.
Këta dy ligjvënës që kishin mbijetuar masakrën, i kërkuan Kuvendit të Kosovës që t’i ndërpresë sot punimet e seancës plenare dhe që një delegacion i Kuvendit të shkojë në këtë burg për të bërë homazhe në vendin ku ishin ekzekutuar qindra shqiptarë të burgosur. Ata rrëfyen kohë më parë për Express masakrën.
“Ne kërkuam që të shtyhet seanca për një ditë tjetër sepse kjo ka qenë një masakër e shtetit serb, mbi të burgosur, mbi të pambrojtur dhe kjo ishte kërkesa kryesore e jona që u mbështet nga të gjitha grupet parlamentare”, tha Hyseni, i cili është deputet i PDK-së.
Duke folur për gazetarët, pas seancës, Hyseni tregon se në Burgun e Dubravës dhjetë vjet më parë, janë vrarë rreth 160 të burgosur shqiptarë, ndërsa më shumë se 300 të tjerë janë plagosur. Gjithë kjo masakër, sipas tij, është inskenuar institucionalisht nga regjimi i dhunshëm i Serbisë në Kosovë.
Deputeti Nait Hasani i dënuar më 20 vjet burg në vitet ’90-të, rrëfen ngjarjet e tmerrshme që ndodhën në këtë burg prej 19 deri më 24 maj 1999. Në këtë periudhë, ai tha se rreth 1000 të burgosur shqiptarë të mbledhur nga të gjitha burgjet e Serbisë, ishin dërguar në Dubravë dhe për pesë ditë rresht kishin kaluar atë që mund të quhet “purgatori i Dante Aligerit”.
“Mund të them se burgu u Dubravës gjatë luftës është përdorur edhe si kamp përqendrimi, ku nga të gjitha burgjet e Serbisë nga data 20 prill deri me 10 maj, janë mbledhur të gjithë të burgosurit shqiptarë rreth 1000 vetë, të ndarë në 4 pavijone”, thotë Hasani.
Institucionet e Serbisë kishin sjellë shqiptarët në këtë burg, ndërkaq lokacionin e burgut e kishin inskenuar si bazë të ushtrisë serbe, me qëllim që të jetë në qendër të bombardimeve të NATO-s.
Në mesditën e 19 majit 1999, siç tha Nait Hasani, brenda burgut të Dubravës kanë rënë tri raketa të cilat kanë lënë tre qytetarë të vdekur dhe pesë të plagosur. Pas kësaj, ai tha se të burgosurit tjerë që kanë qenë nëpër qeli, kanë thyer dyert e burgut dhe kanë dalë jashtë ndërtesës në fushën e sportit.
Natën e 19 majit, Hasani tha se të burgosurit e kanë kaluar spontanisht në një fushë jashtë ndërtesë, të rrethuar nga policia dhe ushtria e serbe, ndërsa natën tjetër, sipas tij, të burgosurit janë kthyer brenda në objektin e burgut, ndërsa gardianët dhe policët kanë qëndruar jashtë objektit.
“Ndërsa me 21 maj po ashtu mbi burg kanë rënë edhe disa mjete shpërthyese nga aeroplanët, ku janë vrarë edhe 21 të burgosur dhe janë plagosur edhe dhjetarë të tjerë.
Kurse natën e 21 majit e kemi kaluar në qiellin e hapur, në fushën e sportit, dikush ishte fshehur në puseta, dikush nëpër ndërtesa dhe objekte, me qëllim që t’u mbijetojmë të papriturave”, thotë Hasani.
Ndërsa ngjarja më e tmerrshme, siç tregon i mbijetuari i masakrës, ka ndodhur më 22 maj, kur në orët e hershme të mëngjesit gardianët serbë i kanë zgjuar të gjithë të burgosurit dhe u kanë dhënë urdhër që të mblidhen në fushën e sportit. Në këtë lokacion, ai tha se ka qenë rreth 960 të burgosur.
“Një shumicë absolute e të burgosurve jemi mbledhur në fushën e sportit, ndërsa gardianët dhe policët serbë nga të gjitha karakollët e burgut i kishin mbledhur armët në karakollën që ishte përballë fushës së sportit. Aty ishin përgatitur njerëz me pushkë-mitraloza, snajperistë, minahedhës, etj. dhe për një moment kanë shkrepë gjithë arsenalin mbi të burgosurit”, tregon Hasani ngjarjen e para 10 vitesh.
Dhe sipas tij, në këtë moment është bërë një masakër, ndërsa nga tymi e mjegulla siç tha ai, nuk është parë asgjë, ndërsa janë dëgjuar vetëm klithmat e njerëzve të plagosur. “Është bërë kasaphane”, tha Hasani, sipas të cilit, ky ka qenë një tmerr që kanë përjetuar të burgosurit shqiptarë.
Sipas tij, nga të shtënat janë vrarë më shumë se 160 vetë ndërsa janë plagosur më shumë se 300 të tjerë. Kjo sipas tij, është më shumë tragjedia më e madhe që është përdorë pas luftës së dytë botërore. Mirëpo sipas Hasanit, vuajtjet nuk mbarojnë me kaq.
“Në ditën e 23 majit, na kanë mbledhur në sallën e sportit, dhe kjo ka qene një forme tjetër e manipulimit për ekzekutim. Kemi qenë diku rreth 600 të burgosur ndërsa nëpër dritare të fushës se sportit kanë qenë policia serbe me zola dhe pushkë automatike duke e pritë çdo moment urdhrin e ekzekutimit, por fal mjegullës së madhe ndihmës së Zotit, kemi shpëtuar”, tha ai.
Ndërkaq më 24 maj, siç tha deputeti Nait Hasani të burgosurit shqiptarë i kanë zhvendosur në burgun e Lypjanit. Ai thotë se brenda rrethanave dhe mundësi, ata që kishin shpëtuar janë munduar që t’i ndihmojnë të plagosurit.
Deputeti Hasani dhe shumë qytetarët që kanë përjetuar këtë tragjedi, kishin kërkuar që burgu i Dubravës të shndërrohet në muze, për të dëshmuar në gjithë kohërat, gjenocidin serbe mbi popullin shqiptarë, sikur kampi Aushfiz i nacizmit. Mirëpo kjo kërkesë nuk është përfillë dhe i njëjti burg sërish është kthyer në qendër korrektuese.
“Pas luftës së Dytë Botërore masakra e Dubravës ka qenë ajo që i ka kaluar gjitha përmasat, ndërsa gabimi ka qenë që ajo masakër dhe ai burg nuk është shndërruar në muze, për të treguar të kaluarën e hidhur të shqiptarëve”, tha deputeti Nait Hasani, i cili pas çlirimit të Kosovës me ndihmën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, u lirua nga burgjet serbe bashkë me deputetin tjetër Hajredin Hyseni.
Tani brenda burgut të Dubravës është ndërtuar një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër. Ka edhe të tillë që kanë qenë në burg dhe tani konsiderohen të zhdukur, prandaj e vërteta për Dubravën edh sot e kësaj dite mbetet e pasqaruar. (KosovaLive)
Deputetët ndërpresin seancën, bëjnë homazhe në Dubravë
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, e paraparë të mbahet sot, është shtyrë për të mërkurën e ardhshme, për t’iu dhënë mundësi deputetëve të bëjnë homazhe për viktimat e Masakrës së Dubravës.
Pasi që anëtari i Kryesisë, Xhavit Haliti, ka hapur seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, duke i njoftuar deputetët se pos pikave të mbetura nga seanca e 14 majit do të shqyrtohen edhe dy pika shtesë të rendit të ditës, fjalën e ka marrë deputeti Hajredin Hyseni, i cili nga foltorja e Kuvendit ka bërë një deklaratë në dhjetëvjetorin e Masakrës së Dubravës.
Ai ka përkujtuar faktin që forcat serbe në Burgun e Dubravës kanë vrarë rreth 160 të burgosur shqiptarë dhe kanë plagosur e masakruar qindra të tjerë.
Deputeti Hyseni, i cili është njeri ndër të mbijetuarit e kësaj masakre, ka propozuar që seanca e sotme të shtyhet për një ditë tjetër dhe ka kërkuar që një grup deputetësh, po sot, të shkojë dhe të bëjë homazhe në vendin e masakrës së të burgosurve.
Propozimi është mbështetur nga deputetët. Seanca do të vazhdojë të mërkurën, më 27 maj, njofton Zyra për marrëdhënie me media dhe publikime e Kuvendit të Kosovës.