Një përleshje me mjete të forta ndodhi mbrëmë mes dy taksistëve në stacionin e vjetër të autobusëve në Vushtrri, për shkak të radhës së nisjes. Dy të dyshuarit, u rrahën me njëri tjetrin, duke pasur në krah secili djalin e vet, me ç’rast njëra palë përfundoi në spital.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy të dyshuarit që u arrestuan lidhur me këtë rast janë Besim dhe Endrit Ukiqi, ndaj të cilëve është nxjerrë aktvendim për ndalim policor.

Por si ndodhi rasti dhe si intervenuan policët jashtë detyrës zyrtare

Dy palët u kapën mes vete pas një debati të momentit, se cili do të niset i pari si taksist, nga stacioni ku ndodheshin. Konflikti verbal kaloi në fizik, ku u përdorën edhe mjete të forta, ku si pasojë taksisti tjetër bashkë me djalin e tij morën lëndime trupore.

Në momentin kur ndodhi përleshja, disa zyrtarë policorë, jashtë detyrës zyrtare, intervenuan, duke mos lejuar që të përshkallëzohet situata edhe më shumë, me ç’rast të dyshuarit u arrestuan.

Ndërsa dy personat e lënduar, babai me të birin, fillimisht janë trajtuar në Emergjencën e Vushtrrisë, e më pas janë transferuar në QKUK, për trajtim të mëtutjeshëm.

Sinjali mëson se në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe konfiskuar shufrën metalike, që dyshohet se është përdorur në rast, ndërkohë që janë bërë ekzaminimet e nevojshme.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.