Policia e Kosovës i ka arrestuar tetë të dyshuar dhe ka konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë në veri në lidhje me shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit, që u cilësua si sulm terrorist.
Të arrestuarit dyshohen edhe për lidhje dhe nxitje të sulmeve të fundit në veri të vendit gjatë kësaj jave, si sulmi me granata dore në stacionin policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se dy nga të dyshuarit që u kapën nga Policia e Kosovës janë Nenanja Galjak dhe Marko Vicentijevic.
Në pronat e tyre që u bastistën sot janë gjetur dhe konfiskuar armatim dhe pajisje të tjera.
Siç merr vesh Sinjali, në shtëpinë e Galjak në Zubin Potok janë kapur disa pushka, mbi 100 fishekë, uniforma ushtarake, uniformë të policisë polake, radiolidhje, maskë, si dhe mbi 33 mije euro e qindra dinar.
Ndërsa në shtëpinë e Vicentijevic, janë konfiskuar armë dhe fishekë.
Siç u bë e ditur nga Policia, shumica dërrmuese e armatimit dhe pajisjeve të tjera të konfiskuara janë “prodhim serb” dhe se një pjesë e madhe e tyre janë “pajisje ekskluzivisht ushtarake” që nuk mund të gjendet lehtë në tregun e zi.
Ndryshe, shpërthimi i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër Lepencit në fshatin Varragë të Zubin Potokut.
Eksplozivi i përdorur në sulmin ndaj kanalit “është e pamundur të gjendet, nëse nuk furnizohet drejtpërdrejt nga depot e ushtrisë”, u përgjigj Sveçla pasi u pyet se si ka mundur të futet një sasi kaq e madhe eksplozivi në atë pjesë të vendit.
Kurse Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se është përdorur eksploziv deri në 20 kilogramë në sulmin ndaj kanalit të Ibër Lepencit.