Komuna e Podujevës, përkatësisht Drejtoria e Arsimit, ka bërë përzgjedhjen e drejtorëve të rinj për disa nga shkollat fillore dhe të mesme në këtë Komunë, raporton Llapi.info.
Emrat e rinj i ka bërë publikë edhe Komuna e Podujevës, ndërkohë që në njoftimin e dhënë bëhet e ditur se Kryetari i Komunës ka miratuar rekomandimet e Komisionit intervistues për përzgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve për shkollat.
Sipas listës, Fatmir Emini është zgjedhur drejtor i Shkollës së Mesme Teknine “Fan S. Noli”, kurse Selvie Hoxha është emëruar si zëvendësdrejtor në po këtë shkollë.
Rafet Berisha është zgjedhur drejtor i Shkollës Fillore “Shaban Shala”. Besnik Uka është zgjedhur drejtor i Shkollës Fillore “Naim Frashëri”. Sheqir Krasniqi është emëruar drejtor i Shkollës Fillore “Ibrahim Rugova”. Agim Hamza është emëruar drejtor i shkollës Fillore “Enver Maloku”. Hatixhe Bajgora është emëruar drejtoreshë e Shkollës Fillore “Zenel Hajdni” në Lupc të Poshtëm. Enver Mehana është emëruar drejtor në Shkollën Fillore “Luigj Gurakuqi” në Batllavë dhe Naim Bajrami është emëruar drejtor drejtor në Shkollën Fillore “Zahir Pajaziti” në Orllan.
Ndërkohë, siç ka mësuar Llapi.info, drejtor i Shkollës së Mesme të Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” është emëruar Liridon Mulliqi.
Përveç tyre, emrat e të emëruarve të tjerë nuk janë bërë publikë nga Komuna e Podujevës deri më tani, pasi konkursi për drejtor do të përsëritet në 32 shkolla.
Duhet përkujtuar se qysh në fillim të mandatit, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, pati anuluar konkursin për zgjedhjen e 28 drejtorëve e zëvendësdrejtorëve në shkollat e Komunës së Podujevës, të shpallur nga ish-pushteti, LDK.
Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës, Nexhmi Rudari, më 1 dhjetor, 2 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve në këtë komunë, kishte marrë vendim për zgjedhjen e këtyre drejtorëve e zëvendësdrejtorëve. Në mesin e tyre edhe vëllain e vetë, Sabri Rudarin.