Screenshot

Nëntë përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe një përfaqësues i Nismës Socialdemokrate plotësojnë dhjetë kandidatët më të votuar të koalicionit AAK-Nisma në zgjedhjet e 9 shkurtit, pas numërimit të rreth 70% të votave.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj rezulton të jetë kandidati më i votuar me 32 mijë vota, bazuar në një listë të cilën e ka publikuar portali Indeksonline të hënën në mbrëmje.

Bazuar në këtë listë, e cila paraqet rezultatet e kandidatëve për deputet pas numërimit të 73% të votave, Daut Haradinaj është i dyti me 19 mijë vota.

Fatmir Limaj, udhëheqësi i partnerit të koalicionit, Nismës Socialdemokrate, është i treti më i votuari i listës me 16 mijë vota.

Tetëshen e listës së koalicionit AAK-Nisma e plotësojnë Time Kadrijaj me 11 vota, Bekë Berisha me 10 mijë vota, Lahi Brahimaj me 8 mijë vota, Arber Tolaj me 7 mijë vota dhe Albana Bytyqi me po ashtu 7 mijë vota.

Ardian Gjini është kandidati i nëntë më votuar, me rreth 7 mijë vota, po aq sa ka edhe Bashkim Ramosaj, i renditur i dhjeti.

Aktualisht, bazuar në rezultatet preliminare të zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit, koalicioni AAK-Nisma do t’i ketë tetë ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ndarja e ulëse në parlament, megjithatë mund të ndryshojë pas numërimit të votave me kusht dhe atyre nga jashtë.

Deri të dielën më 16 shkurt, një javë pas zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se ka numëruar 73.23 për qind të votave të kandidatëve për deputet.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se do të vazhdojë numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 19 qendra komunale të numërimit.

Deri dje, ishin numëruar 73.23% e vendvotimeve.

“Deri në përfundim të ditës së diel, 16 shkurt, janë numëruar 73.23% e vendvotimeve apo 1,855 nga 2,533”, tha KQZ-ja në një njoftim për media të martën.

KQZ-ja tha se procesi i numërimit do të vazhdojë të martën në 19 Qendra Komunale të Numërimit.