Tashmë ka përfunduar afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, për kryetar të komunës së Podujevës, raporton Llapi.info.
Vetëm tre kandidatë kanë aplikuar për certifikim nga KQZ-ja. Kështu ka bërë të ditur në një adresim për medie, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Partia Demokratike e Kosovës (Naim Fetahu), Lidhja Demokratike e Kosovës (Nexhmi Rudari) dhe Lëvizja Vetëvendosje (Shpejtim Bulliqi) do të përballen në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat mbahen më 15 mars.
Edhe pse kishte thënë se është i gatshëm për t’u ballafaquar me secilindo kandidat, kryetari i partisë FJALA në Podujevë, Xhevdet Maloku nuk ka aplikuar për certifikim. Maloku thotë se këtë e ka bërë për shkaqe shëndetësore. Aplikimin s’e ka bërë as Xhemajl Hasani i NISMA-s. U përfol se Mrika Thaçi do të do jetë kandidate nga AAK-ja, por as kjo e fundit s’ka aplikuar për certifikim nga KQZ-ja. Njëjtë ka vepruar edhe PSD-ja e Dardan Molliqajt.
Në zgjedhjet e fundit të mbajtura më 6 tetor, parti fituese në Podujevë doli LDK-ja me 15 mijë e 94 vota, e pasuar nga VV me 13 mijë e 927. Kurse, PDK-ja u radhit e treta me 7 mijë e 421 sosh.
Të tre këta kandidatë kanë konkurruar për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare të 6 tetorit, kurse vetëm Shpejtim Bulliqi ka arritur ta sigurojë ulësen e Kuvendit.
Por, për asnjërin s’mund të thuhet se mori vota të mjaftueshme nga qyteti i tyre.
Naim Fetahu, i cili ka rolin e kryetarit të PDK-së në Llap, gjithsej i mori 5168 vota, prej tyre 2419 i kishte në Podujevë.
Shpejtim Bulliqi në përgjithësi mori 10178, ku 4717 i mori në qytetin e tij. E nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari në zgjedhjet e fundit pati 5943 vota, 3885 prej tyre në komunën e tij.
Më 15 mars 2020, banorët me të drejtë vote të Komunës së Podujevës do t’iu drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarin e ri.
Këto zgjedhje vijnë pas emërimit të Agim Veliut, ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në Qeverinë e re.
Për këto zgjedhje janë ndarë nga Komisioni Zgjedhor 491,517.00 euro për dy raunde, pra edhe për raundin e balotazhit nëse ka një të tillë.
KQZ ka vendosur që 43 mijë e 433 euro të jetë shuma më e lartë që mund ta shpenzojnë subjektet politike për fushatë zgjedhore.
Ky vendim që është marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbështetet në listën jo-përfundimtare të votuesve të kësaj komune, sipas së cilës numri i tyre është 86 mijë e 866.
Sipas rregullës zgjedhore të KQZ-së për kufizimin e shpenzimeve të fushatës dhe deklarimit financiar shpenzimi i lejuar është 0.5 euro për votues të regjistruar.
Prej pasluftës, LDK udhëheq me Podujevën. Kryesisht shef i Komunës ka qenë Agim Veliu, e për një kohë edhe ish-këshilltari i Fatmir Sejdiut, Ilaz Pireva./Llapi.info