Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka dorëzuar sot mandatin e tij të deputetit pas shpalljeve të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Pavarësisht se ka fituar mandatin Muhaxheri ka vendosur që ta dorëzojë të njëjtin.
Kryetari i Pejës në zgjedhjet e 9 shkurtit fitoi mandatin e deputetit duke marrë plot 25 mijë e 942 vota.
E pas dorëzimit të mandatit të tij, vendin e Muhaxherit në Kuvend pritet ta zë Arben Gashi ose Paris Guri.
Gashi ka marrë nga 18 mijë e 874 vota, kurse Guri ka 18 mijë e 752 vota.
Përveç Muhaxherit, edhe Imri Ahmeti që udhëheq me Lipjanin ka fituar mandatin e deputetit.
Në rast se edhe Ahmeti do ta bëjë të njëjtin veprim sikurse Muhaxheri, atëherë Arben Gashi e Paris Guri mund të jenë pjesë e listës së deputetëve të ardhshëm të LDK-së.
Sipas rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 396,787 vota apo 42.30%, PDK është renditur e dyta me 196,474 apo 20.95%, LDK e treta me 171,357 apo 18.27%, AAK-Nisma me 66,256 vota apo 7.06%.