Gjatë kësaj jave pritet që në Kosovë të vijë një delegacion i Bashkimit Evropian, i cili do të mbledhë të dhëna nga institucionet e Kosovës lidhur me atë se sa është punuar në përmbushjen e kriterit të fundit për heqjen e vizave.
Kështu ka njoftuar ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, e cila ka thënë se vizita do të realizohet nga 3-5 maj.
Me këtë rast Hoxha ka bërë të ditur se institucionet tashmë kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme sa i përket kësaj çështjeje, ndërkohë është shprehur e bindur se Kosova do të marrë rezultate pozitive.
Nga ana tjetër, edhe nga Komisioni Evropian kanë pohuar për gazetën Zëri se një mision i nivelit teknik shumë shpejt do të jetë prezent në Kosovë.
Por pavarësisht kësaj, nga opozita janë shprehur skeptikë nëse do të ketë lajme të mira pas kësaj vizite.
- Kjo pasi, sipas tyre, nuk është punuar sa duhet drejt përmbushjes së kriterit të fundit për heqje të vizave, luftës ndaj krimit të organizuar e korrupsionit.