Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (DBPZHR) Fatmir Rudari bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim (DSHPMSH) Bahri Selimi dhe kryetarin e Komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore kanë vizituar sot fshatrat e komunës së Podujevës për t’i evidentuar dhe pastaj vlerësuar dëmet e shkaktuara si pasojë e reshjeve dhe stuhisë së djeshme, njofton kumtesa, transmeton Llapi.info.
Drejtorët dhe kryetari i komisionit kanë vizituar fermerë në fshatrat Siboc, Gllamnik dhe Batllavë, ndërsa gjatë ditëve në vijim do të vazhdojnë edhe me vizita tjera.
Në bazë të raporteve të para, dëmtimet më të mëdha janë shkaktuar kryesisht në kulturat bujqësore, sidomos serrat dhe mbjelljet e jashtme si sallatat dhe frutat manore.
Po ashtu dëme janë shkaktuar edhe në planatcionet e mollës, dardhës, kumbullave dhe pemëve tjera.
Drejtori Rudari tha se komisioni komunal do t’i vizitojë të gjithë fermerët dhe ekonomitë familjare të cilat kanë pësuar dëmtime në kulturat bujqësore, ndërsa pas të gjitha vizitave DBPZHR raportin e kompletuar do ta dërgojmë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) për të kërkuar kompensimin e këtyre dëmeve./Llapi.info