Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në ‘Fadil Vokrri’ sonte ndaj Irlandës Veriore me rezultat 3-2. Lojtari i ndeshjes është zgjedhur realizatori i dy golave për ‘Dardanët’, Vedat Muriqi.
Në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ sonte Kosova pati një ‘fytyrë’ ndryshe nga përballja e fundit ndaj Greqisë, me ç’rast pas një paraqitje të mrekullueshme në fund u shpërblye me tre pikë dhe do të luftoj deri në fund për pozitën e parë në grupin 2 të Ligës së Kombeve.
Sipas SofaScore lojtari i ndeshjes sonte është zgjedhur sulmuesi i Mallorcas, Vedat Muriqi, i cili është vlerësuar me notën 8.5.
Me nota të larta u vlerësua edhe Milot Rashica, i cili pas dy paraqitjeve jo edhe të mira ndaj Qipros dhe Greqisë, sonte ishte i jashtëzakonshëm. Ai u vlerësua me notën 7.7, ndërsa nota të larta patën edhe Zymer Bytyqi 7.5, Amir Rrahmani 7.0 dhe Florent Muslija 7.0.
Kujtojmë që testi i vërtetë tani për të përzgjedhurit e Alain Giresse do të jetë të dielën ndaj Greqisë, e cila momentalisht mban vendin e parë me nëntë pikë.