Sot bëhen gjashtë vjet nga vdekja e legjendës së futbollit dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit.
Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, por vlerësohet se në kohën sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës ka vënë themelet e forta të futbollit kosovar, transmeton Gazeta Express.
E Vokrrin e ka kujtuar edhe klubi i Llapit.
Postimi i tyre i plotë, pa ndërhyrje:
Sot shënojmë 6 vjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit Legjendar, Fadil Vokrri.
Ky përvjetor shënon kujtimin e një figure që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në futbollin tonë.
Fadil Vokrri ishte jo vetëm një futbollist i shkëlqyer, por edhe një lider i vërtetë që punoi me përkushtim të madh për zhvillimin e futbollit në Kosovë. Përkushtimi dhe pasioni i tij për këtë sport janë një frymëzim për të gjithë ne që punojmë në këtë fushë.
KF Llapi nderon veprën e tij dhe angazhohet që të vazhdojë rrugën e tij, duke punuar me përkushtim dhe pasion për të arritur sukseset që ai ëndërroi për futbollin kosovar.
Kujtimi për të do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona dhe në fushat e futbollit.
Faleminderit për gjithçka që i dhe futbollit kosovar, LEGJENDË!