Misioni paqeruajtës i NATO-së në Kosovë (KFOR) me anë të një komunikate ka reaguar lidhur me gjendjen e krijuar, pas protestës së sotme në rrugën Mitrovicë-Skenderaj, duke thënë se siguria e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është e garantuar dhe se deri më tani askush nuk e ka kërcënuar.
KFOR thotë se është duke punuar që ta largojë bllokadën e krijuar në fshatin Banjë të Skenderajt dhe ta rivendos lirinë e lëvizjes, shkruan Telegrafi.
Po ashtu, sipas KFOR-it është duke u punuar në mënyrë paqësore që të largohet kjo bllokadë, në të kundërtën është e gatshme të ndërhyjë në përputhje me mandatin e saj.
Njoftimi i plotë i KFOR-it:
Sa i përket situatës aktuale në Kosovë, KFOR-i së bashku me institucionet dhe Policinë e Kosovë po punon për të siguruar presidentin e Serbisë. Askush nuk e ka kërcënuar z. Vuçiq dhe siguria e tij është e garantuar.
Lidhur me protestën përgjatë rrugës për në Banjë, KFOR-i është në kontakt me Policinë e Kosovës për të hequr bllokadën dhe për të rivendosur lirinë e lëvizjes.
KFOR-i po punon për ta bërë atë në mënyrë paqësore, por është gati të ndërhyjë, nëse kërkohet, në përputhje me mandatin e saj.