Zëvendëskomandanti i Detashmentit të Përbashkët Rajonal – Qendra (JRDC) i KFOR-it, nënkoloneli Pertti Pullinen u takua sot me Kryetarin e Komunës së Podujevës, Agim Veliun, ku të dy vlerësuan gjendjen e sigurisë në Podujevë si stabile dhe të qetë.
Zyra për Marrëdhenie me Publikun dhe Informim e Komunës së Podujevës njofton se përpos bisedës për gjendjen e sigurisë në komunën e Podujevës në këtë takim u bisedua edhe për bashkëpunimin e Komunës me KFOR-in, respektivisht njësitin LMT, që operon në territorin e Komunës së Podujevës.
“Komuna, por edhe institucionet e tjera përgjegjëse për sigurinë si dhe vetë qytetarët e komunës sonë në vazhdimësi kultivojnë raporte të mira bashkëpunimi me KFOR-in. Falë këtij bashkëpunimi në komunën tonë kemi një gjendje të mirë të sigurisë”, tha Veliu, duke u shprehur i hapur për bashkëpunim me KFOR-in.
Ndërsa Zëvendëskomandanti i JRDC, koloneli Pullinen, falënderoi Veliun për bashkëpunimin e mirë me KFOR-in.
Nënkoloneli Pullinen është shprehur i bindur bashkëpunimi i mirë me Komunën e Podujevës do të vazhdojë, jo vetëm në sferën e sigurisë, por edhe në fusha të tjera me interes për qytetarët e Komunës së Podujevës./LLapi.info