Sevdije Kastrati rastësisht ishte njohur me kamerën gjatë verës së vitit 2001, kur po realizohej një video-ditar. E ulur në tokë dhe e mbështetur për trungun e një lisi, aty shihet duke mbuluar disa herë fytyrën me duar për t’i fshehur lotët.
Atë vit për herë të parë eksploronte me kamerën dhe tregonte se çfarë ka përjetuar gjatë luftës, por edhe pas saj. Kishte thënë se po e ndante historinë më të vështirë e më të dhimbshme që ka përjetuar, prandaj e kishte të vështirë të fliste me të tjerët. Kastrati kishte treguar sesi nëna e saj, Ajshja, dhe motra Luljeta i ishin vrarë gjatë luftës. Ishin varrosur më vonë nga fshatarët pa i parë ajo, pasi që ishte fshehur në mal bashkë me familjarë të tjerë. Thotë se ndonjëherë shpresonte që ato do të ktheheshin, porse ajo e ka kuptuar se diçka e tillë nuk do të ndodhë.
“Një kartolinë nga Peja”, është titulli i kësaj videoje të realizuar nën regjinë e Mark Landsman si pjesë e një punëtorie, ku kishin marrë pjesë disa të rinj kosovarë përfshirë edhe Kastratin, shkruan Koha Ditore.
“Lufta ka ndryshuar shumëçka”, thotë Kastrati tetëmbëdhjetë vjet pas asaj videoje, në një bisedë për gazetën. Këtë fjali e dëshmon me ëndrrat që i ka pasur në fushën e mjekësisë e që për një moment kishin mbetur prapa. Në horizont për të kishte dalë një ëndërr e re që i kishte dhënë fuqi – mjeshtërimi i kamerës.
Që atëherë ajo është drejtoreshë e fotografisë në disa prej filmave që kanë lënë gjurmë në kinematografinë e Kosovës. Të tillë si filmi “Kthimi” i vitit 2012 nën regji të Blerta Zeqirit që mori Çmimin për filmin më të mirë të shkurtër në Festivalin e Filmit në Sundance. Filmi i gjatë “Martesa” po ashtu nga Zeqiri që dha premierë në “Tallinn Black Night” dhe ishte propozimi i Kosovës për “Oscar” më 2018, filmi i gjatë “Nëntori i ftohtë” i regjisorit Ismet Sijarina, që u dha premier në Festivalin e Filmit në San Sebastin në vitin 2018, “Derë e hapur” me regji nga Florenc Papas, produksion i këtij viti e të tjerë. Ndërsa së fundi Kastrati është kinematografe edhe në filmin “Zana” që dha premierën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto këtë vit dhe është nominimi i Kosovës për “Oscar 2020”. Nën regjinë e motrës së saj Antoneta Kastrati, filmi është i bazuar mbi eksperiencat e motrave gjatë luftës… (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)