Sqarim nga Komuna e Podujevës;

Sqarim

Pas paqartësive të krijuara në publik lidhur me ndërtimin e objektit të Shkollës së Mesme Ekonomike, dëshirojmë të sqarojmë se Komuna e Podujevës ka vepruar në mënyrë të drejtë në secilën fazë të këtij aktiviteti të prokurimit.

Procedurat për ndërtimin e këtij objekti shkollor kanë filluar në vitin 2023, kurse hapja e ofertave është bërë më 06.06.2023. Fillimisht kanë aplikuar 9 operatorë ekonomikë, ku 5 prej tyre ishin eliminuar për shkak gabimeve aritmetike dhe mungesës së dokumenteve ose ekspertëve të kualifikuar siç kërkohej në Dosjen e Tenderit.

Në raportin e fundit të vlerësimit të tenderëve, në janarin e këtij viti, kanë qenë 7 operatorë ekonomikë, të cilët ishin eleiminuar për shkak të arsyeve të cekura më lartë.

Pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, më 27 maj Komuna e Podujevës ka nënshkruar kontratë me OE-në fitues, ashtu siç kishte rekomanduar ky institucion, që ndryshe quhet edhe si Gjykatë e Tenderëve.

Sa i përket Grupit operatorëve ekonomikë, i cili ka ushtruar kërkesë-padi ndaj OSHP-së në Gjykatën Komerciale, sipas Komisionit vlerësues ai nuk i ka plotësuar kërkesat administrative të Autoritetit Kontraktues, duke bërë gabime aritmetike në pozicionet e instalimeve makinerike të shkollës dhe sallës së edukatës sportive, etj.

Pas ankesës së ushtruar në Gjykatën Komerciale nga OE ankues, më 30 maj ky institucion paska marrë vendim për pezullim të ekzekutimit të kontratës. Njoftojmë opinionin publik se Gjykata Komerciale nuk e ka njoftuar Komunën e Podujevës me këtë vendim. Duke mos qenë në dijeni Komuna e Podujevës më 8 qershor kishte caktuar ditën e ceremonisë së vënies së gurthemelit për ndërtimin e këtij objekti shkollor. Në mbrëmjen e datës 7 qershor, kabineti i Kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi është njoftuar nga Operatori Ekomnomik ankues me vendimin e Gjykatës Komerciale.

Pavërësisht që besojmë në vendimin e drejtë të Komisionit Vlerësues dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit, pas vendimit të kësaj Gjykate, si Komunë e kemi shtyrë ceremoninë e vënies së gurthemelit.

Disa eksponentë të opozitës po propagandojnë se dallimi i çmimit të ofertimit të Operartorit ekomnomik fitues (2,565,696.26) dhe atij të eliminuar (2,482,844.29) është rreth 600 mijë euro, nuk është i saktë. Dallimi është vetëm 82,851.97 euro, por që në këtë rast, siç e theksuam edhe më sipër OE ankues nuk e ka plotësuar kriterin ku duhej të ofronte dëshmi se ka përfunduar me sukses kontrata të ngjashme (ndërtim i lartë) në vlerë 3 milionë euro në 3 vjetët e fundit. Në listën e projekteve të ofruara ai e ka shkruar ndërtimin e një impianti, por që sipas ekspertëve (inxhinierët) impiantet hyjnë në kategorinë e ndërtimeve të ulëta.

Deklaratat dashakeqëse, skandaloze dhe të pavërteta të atyre që po mundohen ta shpërfaqin vetën në publik (e që kurrë nuk kanë bërë ndonjë punë për të mirën e publikut) nuk mund ta zbehin punën e madhe që është duke bërë Komuna e Podujevës, jo vetëm në fushën e arsimit, por në secilën fushë që është në përgjegjësi të saj. Prandaj, i sigurojmë qytetarët e Komunës sonë se projektet e mëdha do të vazhdojnë.

12.06.2024, Podujevë
Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim