Agjencia kundër Korrupsionit ka filluar publikimin e regjistrave të deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publikë për vitin 2021, shkruan Llapi.info.

Në mesin e tyre bëjnë pjesë edhe deputetët e Kuvendnit të Kosovës. Llapi.info ju sjell deklarimet e pasurive që kanë bërë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje – dega në Podujevë.

Vendenis Lahu ka deklaruar se ka shtëpi 300 metra katrorë, vlera e së cilës është 150 mijë euro. Lahu ka thënë se ka banesë familjare 86 metra katrorë 76 mijë euro.

Në pasuri të luajtshme, Lahu ka deklaruar se ka dy vetura familjare në vlerë prej 20 mijë eurove. Tutje Lahu ka deklaruar se ka rreth 60 mijë euro të kursyera në bankë. Këtu i ka përfshirë të vetat, përbashkëta dhe të prindit të tij.

Fitim Haziri ka deklaruar se ka shtëpi 126 metra katrorë në vlerë prej 150 mijë euro. 410 mijë është vlerë e deklaruar e tij për tokë bujqësore (e trashëguar nga gjyshi) dhe truall të shtëpisë (trashëguar nga babai).

Ai thotë se ka veturë në vlerë prej 5 mijë e 500 euro, kurse vetura tjetër prej 2 mijë e 500 euro është e bashkëshortes.

Haziri ka deklaruar se ka aksione edhe në një ordinancë stomatologjike. Ai ka deklaruar se ka mbi 6 mijë euro të kursyera në banka – mbi 1 mijë tjera në binance (kriptovaluta).

Fatmir Humolli ka deklaruar se ka shtëpi në vlerë 309 mijë euro, të trashëguar. Shtëpi tjetër 151 mijë euro. Objekt ndihmës 30 mijë euro (të gjitha këto të trashëguara). Dy banesa pune – njëra 140 mijë euro, e tjetra 100 mijë.

Ai ka veturë në vlerë 10 mijë euro. Ai ka deklaruar se ka aksione në “Atlantic Capital Parners LLC”, “B&F SHPK”, dhe “Çlirim Humolli B.I”.

Humolli ka thënë se ka kredi në vlerë prej 55 mijë euro.

Saranda Bogujevci (nënkryetare e Kuvendit), nuk ka deklaruar pasuri të paluajtshme, e as të luajtshme. Ajo ka thënë se i ka të kursyera në NLB bankë mbi 15 mijë euro. Bogujvci ka thënë se banon me qera, pagesa mujore e se cilës është 250 euro. Ajo ka kredi mbi 20 mijë euro.

Driton Hyseni ka deklaruar se ka tri banesa. Personale e tij në vlerë 55 mijë euro. Banesa numër dy ka vlerë 145 mijë euro e kontraktuar.  Për këtë janë paguar 60,000 euro, pjesa tjetër e projektuar të paguhet deri në vitin 2025.

Banesa numër tre është në vlerë prej 30 mijë euro. Ajo, siç ka deklaruar Hyseni, është në bashkëpronësi me dy vëllezërit e tij , pra 1/3 është në pronësi të deklaruesit . Me afat të pacaktuar ka huazuar te dy vëllezërit e e tij shumën prej 40,000 euro , për blerje patundshmërie .

Në pasuri të luajtshme, Hyseni ka thënë se ka veturë që kushton 5 mijë e 500 euro, kurse të bashkëshortes 3 mijë e 800 euro.

Hyseni ka thënë se ka mbi 70 mijë euro të kursyera në banka, kurse ka kredi 85 mijë euro për blerje ne banesës së përbashkët.

Llapi.info do t’i sjellë edhe pasuritë e deputetëve tjerë llapjanë të partive të ndryshme./Llapi.info