Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar sot se në qershor pritet të dal vlerësimi i institucioneve të Bashkimit Evropian sa i përket përmbushjes së kritereve për liberalizmin e vizave.
Gjatë një konference për media, Haradinaj është shprehur i bindur se ky vlerësim do të jetë pozitiv, duke besuar se deri në fund të vitit qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm pa viza në zonën Shengen.
“Në qershor merret vlerësimi i institucioneve të BE-së që besojmë se është pozitiv, por ky vendim prapë do të dërgohet në institucionet e BE-së për vendimmarrje, që nevojitet që çdo vend të jep vendimin e vet, veç e veç. Si dinamik kohore përputhet mundësia që të lëvizim lirshëm deri në fund të vitit. Nuk duhet të bëjmë gabime, të kemi porosi të qarta se qytetarët e vendit e meritojnë lëvizjen e lirë. Unë i them të gjithëve se prej Kosovës nuk iu vije krim, nuk iu vijnë emigrantë por vetëm shkëmbime”, ka thënë Haradinaj.
Se vlerësimi i këtij raporti do të jetë pozitiv e beson edhe njohësi i çështjeve të Integrimeve Evropiane, Avni Mazreku.
Në një prononcim për Indeksonline, Mazreku ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave është zhbllokuar me ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi.
“Vetëm pas ratifikimit të Demarkacionit me Malit të Zi, procesi për liberalizimin e vizave është zhbllokuar dhe rrjedhimisht tash futet në proces Komisioni Evropian. Komisioni Evropian është organi kryesor ekzekutiv i Bashkimit Evropian dhe e ka për detyrë të bëjë vlerësimin nëse kriteret e mbetura si ratifikimi i Demarkacionit që është kryer dhe lufta korrupsionit dhe krimit të organizuar është efektiv. Në qoftë se ky raport i Komisionit Evropian do të jetë pozitiv për Kosovën, që unë personalisht besoj se do të jetë pozitiv, atëherë çështja kalon te institucionet e tjera të Bashkimit Evropian. Ky raport pritet të lëshohet brenda pak ditësh dhe besoj që ka me qenë pozitiv për Kosovën”, ka thënë ai.
Por, sipas tij, raporti pozitiv i Komisionit nuk garanton liberalizimin e vizave për Kosovën.
Mazreku thotë se pas këtij vlerësimi çështja e Kosovës kalon në procesin e vendimmarrjes, e që kjo mund të jetë edhe bllokuese për liberalizimin e vizave. Për këtë arsye, ai sugjeron që të mos jepen afate kohore se kur qytetarët mund të udhëtojnë lirshëm pa viza.
“Sistemi i shumicës së kualifikuar nënkupton që duhet të votojnë 55 për qind e shteteve anëtare. Pra, këto 55 për qind e shteteve anëtare duhet të përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së Bashkimit Evropian. Unë besoj që Kosova nuk e ka problem që të arrijë këtë gjë, por rreziku për Kosovën ekziston se edhe nëse votojnë 55 për qind e tyre, mundet të përdoret një instrument i cili quhet “minoranca bllokuese”, e cila mund të përdoret nga 5 shtete që nuk e kanë njohur Kosovën. Mirëpo fatmirësisht këto shtete nuk i përfaqësojnë 35 për qind të popullsisë së Bashkimit Evropian. Megjithatë, rreziku vije nga shtete që e kanë njohur Kosovën siç janë Polonia dhe Çekia të cilat janë skeptike sa i përket liberalizimit të vizave për vendin tonë”, ka thënë ai.
Këto shtete sipas Mazrekut mund t’i bashkohen 5 shteteve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën edhe pse ka rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian, edhe pse e votojnë 55 për qind të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, në këtë rast procesi i liberalizimit të vizave mund të bllokohet.
Duke e pasur parasysh këtë gjë, sipas njohësit të integrimeve evropiane, ne asnjëherë nuk duhet të lidhemi me afate se kur mund të ndodh liberalizimi i vizave për Kosovën.
Për këtë arsye, Mazreku sugjeron që Kosova të ketë një politikë të jashtme efektive për t’i normalizuar raportet me vendet anëtare të BE-së.