Në takimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) është shprehur shqetësimi për shkaktimin e zjarreve që po bëhen në pyjet e komunës së Podujevës, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Inforimim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.
Në këtë mbledhje, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, i kryesuar nga Kryetari i Komunës, Agim Veliu, ka analizuar gjendjen e sigurisë në Komunë dhe është informuar për zjarret që po shkaktohen në territorin e komunës, me theks të veçantë në pyje dhe masat parandaluese.
Një informatë për gjendjen e në terren nga zjarret e shkaktuara kohët e fundit, sidomos në pyjet e Komunës së Podujevës, e paraqiti Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Fail Muçiqi.
Muçiqi tha se gjatë këtij viti është dyfishuar numri i intervenimit të Shërbimit të Zjarrfikësve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Veçmas është shqetësues numri i madh i zjarreve në pyje, ku deri më tash kemi pasur 51 zjarre, të shkaktuara kryesisht qëllimshëm”, tha drejtori Muçiqi.
Me qëllim të parandalimit të shkaktimit të zjarreve, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Avni Fetahu, tha se kjo drejtori bashkë me Agjencinë e Pyjeve kanë hartuar një plan për parandalimin e zjarreve, si dhe është përgatitur një fletushkë sensibilizuese për popullatën.
Në këtë njoftim thuhet se lidhur më këtë çështje u kërkua nga policia që të punojë në identifikimin dhe sanksionimin e shkaktarëve të zjarreve. Gjithashtu u kërkua mobilizim i plotë i të gjitha strukturave, përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e fshatrave, në parandalimin e zjarrvënieve. Për këtë qëllim do të organizohet edhe një fushatë sensibilizuese në teren.
Meqë jemi në prag të festës së 1 Majit, KKSB apelon te qytetarët që të mos ndezin goma dhe zjarre të cilat mund të rrezikojnë pasurinë dhe pronën publike dhe private./Llapi.info