Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Podujevës pas shumë diskutimeve u vendos që të inicohet procedurat për ndërprerjen e aktivitetit të OJQ- Klubit Publik të Futbollit “Llapi” me qëllim të themelimit të klubit me organizim në formën e shoqërisë aksionare, njofton Llapi.info.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ishte ai i cili kërkoi që të merret ky vendim duke thënë janë përfillur të gjitha procedurat e parapara dhe se vonimi i miratimit të këtij propozimit do të ndikojë në dobësimin e klubit.
“Sa i takon kërkesës që Klubi “Llapi” të shëndrrohet në një shoqëri aksionare, unë e kam pranue që kjo pikë të futet në rendin e ditës për arsye se jam bind që është urgjente ose nëse ju vendosni me shty atëhere kjo çështje mund të na vonohet një vit sepse në bazë të rregullave nuk mund të fillohet asnjë procedurë e shndrrimit të klubit në shoqëri apo forma tjera në momentin kur fillojnë garat. Këto janë rregulla edhe të UEFA-s edhe të Federatës tonë të futbollit.” tha ndër të tjera Veliu
Ndërsa, opozita kërkoi që miratimi i këtij propozimit të shtyhet në mënyrë që të analizohet më në detaje çështja e këtij shndërrimi. Mirëpo, përkundër kësaj me 21 vota për dhe 12 kundër u miratua propozimi për shndërrimin e Klubit Llapi në shoqëri aksionare.