Sipas informatave të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), në pikën kufitare në Merdare u arrestua Milovan Bojaniq, ish gjeneral i ushtrisë jugosllave dhe serbe që njëkohësisht ishte shumë i afërt me Sllobodan Millosheviqin.
“Gjenerali i arrestuar ka pasur përgjegjësi komanduese dhe ka udhëhequr operacionet e ushtrisë serbe në rajonin e Llapit sikur që nën përgjegjësinë e tij kanë qenë forcat paramilitare dhe policore serbe që kanë bërë krime të shumta kundër civilëve, prej vrasjeve individuale deri te vrasjet në masë”- thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.
Më tutje në këtë komunikatë thuhet se gjenerali i ushtrisë serbe, Milovan Bojoviq është në ndalim policor dhe ka dyshime se ka përgjegjësi për krime kundër civilëve të paarmatosur shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë 1998 – 1999.
Sipas KMDLNj-së, këto krime deri më sot kanë mbetur të pandëshkuara përveç se është mbajtur një gjykim i improvizuar në Beograd për vrasjen e anëtarëve të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Gashi.
Sipas informatave të KMDLNj –së gjatë luftës së fundit në Kosovë, në rajonin e Llapit janë vrarë 499 persona, dhe 98 të vrarë në masë ndërsa konsiderohen si të zhdukur 53 civilë./Llapi.info