Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriut (KMDLNJ) përmes një reagimi për media ka kërkuar informata dhe drejtësi për personat e pagjetur.
KMDLNj thekson se iamiljarët e të pagjeturve janë duke u privuar nga e drejta elementare, e drejta për t’u informuar.
Lexoni të plotë reagimi e KMDLNj-së:
“Që nga përfundimi i luftës në Kosovë edhe 1658 persona janë në listën e të pagjeturve ndërkaq që familjet e tyre janë të privuara nga një e drejtë elementare e njeriut , e drejta për t’u informuar për fatin e më të dashurve të tyre.
Ankthi i këtyre familjeve po zgjat që nga viti 1998, 1999 dhe viti 2000 për faktin se palët që janë përfshirë në luftë nuk kanë treguar për fatin e tyre shkaku se mbajnë përgjegjësi morale dhe ligjore për zhdukjen e tyre.
Sipas statistikave, ndonëse nga aspekti i të drejtave të njeriut është diskriminuese të ndahen viktimat në bazë të përkatësisë nacionale , fetare etj, afërsisht 70% janë shqiptarë kurse 30% janë serbë, romë , ashkalinj, boshnjak dhe të tjerë.
Realisht , kjo ndarje diskriminuese e viktimave që janë në listën e të zhdukurve ka krijuar kushte që edhe gjatë realizimit të së drejtës njerëzore për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, palët që e kanë pësuar më shumë të kërkojnë ndriçimin e fatit të familjarëve të tyre ndërsa kanë injoruar të drejtën e palës tjetër ta kërkojnë po të njëjtën të drejtë.
KMDLNj , në vazhdimësi ka kërkuar që të gjitha viktimat të trajtohen si viktima pa bërë dallime në baza etnike, fetare, bindjeve politike, statusit ekonomik dhe tjetër në shoqëri sikur që ka bërë thirrje që të sillen para organeve të drejtësisë ata që planifikuan, e fshehën, nuk e penguan apo zbatuan politikat që për pasojë kanë zhdukjen pa gjurmë të 1658 personave. Edhe për këta që dyshohet se kanë bërë krim me kidnapimin e civilëve apo edhe personave të uniformuar e që duhej të trajtoheshin si robër lufte, pavarësisht përkatësisë etnike, pas administrimit të provave duhet të përballen me dënimet e merituara, jo si shenjë hakmarrjeje por si shembull që do të ndikonte dhe ndihmonte në mospërsëritjen e këtij krimi të rëndë ku ndër civilëve të pafajshëm dhe kategorisë që i mbron Ligji për të Drejtën Humanitare dhe zakonet e luftës.
Bashkësia ndërkombëtare për shkak të oportunitetit politik nuk e ka shfrytëzuar mundësinë për t’i detyruar palët ndërluftuese, menjëherë pas përfundimit të luftës të tregojnë për fatin e personave të pagjetur dhe këtë çështje e kanë keq-përdorur për t’i shantazhuar palët përgjegjëse ndërsa familjarët i kanë mbajtur dhe ende po i mbajnë në ankth , duke mos siguruar informata për fatin e të pagjeturve.
Shoqatat dhe familjarët e të pagjeturve, në vend se të bashkohen sepse e kanë një qëllim dhe vuajtje të përbashkët , janë ndarë pikë e pesë duke u manipuluar nga partitë politike të cilat nuk kanë qenë dhe nuk janë në gjendje ta zgjidhin fatin e të pagjeturve , duke kontribuar kështu në vazhdimin e agonisë për familjarët që kërkojnë zbardhjen e fatit të personave që janë në listën e të zhdukurve.
Lufta për fatin e familjarëve të zhdukur dhe lufta për drejtësi , duke ndëshkuar kriminelët, kohëve të fundit ka mbetur pa përkrahje institucionale apo se kjo përkrahje është e natyrës deklarative që përdoret për qëllime dhe përfitime politike.
Çështja e të pagjeturve asnjëherë nuk është shtruar në bisedimet në Bruksel sepse ka munguar vullneti politik apo është kushtëzuar vetëm me kërkesë të njërës palë e që praktikat e të drejtave të njeriut nuk e njohin apo e njohin si parim që diskriminon njërën palë duke ia mohuar të drejtën për informata.
Të drejtat e njeriut , me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për këto të drejta e njohin vetëm parimin e universalitetit, si drejta të përgjithshme që nuk mund të mohohen prandaj , në këtë kontekst , Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë kërkon zbardhjen e fatit për të gjithë personat që janë në listën e të zhdukurve sikur që kërkon drejtësi dhe shpagim për ta dhe , me theks të veçantë kërkon përgjegjësi për ata që e shkaktuan këtë krim kundër njerëzimit duke shkelur zakonet e luftës.
Kërkesa që bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë presion Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur shqiptarë është kërkesë e drejtë vetëm nëse plotësohet me kërkesën që bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë presion edhe Kosovës për të siguruar informata për zbardhjen e fatit të serbëve , romëve, ashkalinjve , boshnjakëve etj, që janë të zhdukur.
Ndryshe, kërkesa që shtrohet në kontekst tjetër , vetëm për njërën palë është e padrejtë dhe nga aspekti moral dhe i të drejtave të njeriut është krejtësisht i papranueshëm.
Pa zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe pa përgjegjësi për kriminelët , çdo përpjekje për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë si dhe ndërtim të një paqeje të qëndrueshme do të ishte humbje kohe, konservim i problemit për një kohë të caktuar me mundësi që të shpërthejë sërish, me pasoja edhe më të rënda.
Zgjidhja e çështjes së personave që janë në listën e të zhdukurve nuk ka nevojë për akrobacione retorike por për veprime praktike. Çështja e personave të zhdukur është ekskluzivisht çështje e të drejtave të njeriut, e cila në mungesë të vullnetit dhe presionit ndërkombëtar vendimmarrës , duhet ta gjejë epilogun duke e kombinuar praktikën e shkopit dhe karotës ndaj atyre që kanë informata.
Në të kundërtën , sforcimi i retorikës shfajësuese për përgjegjësi për palën tuaj dhe sforcimi i retorikës fajësuese për palën kundërshtare – armike, jo që nuk e zgjidhë çështjen e personave të pagjetur por e bënë çështjen edhe më të pazgjidhshme.