Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar përmes një komunikate për media duke thënë se ZRrE po tregohet e papërgjegjshme ndaj konsumatoreve të energjisë elektrike.
“Me të hyrë në sezonin dimëror kur furnizimit me energji elektrike vështirësohet për shkak të rritjes së konsumit dhe kur faturat fryhen me arsye dhe pa arsye ZRrE po tregohet e papërgjegjshme në mbrojtje të interesave të konsumatorëve . Në vend se të jetë në anën e konsumatorëve të përgjegjshëm, ZRrE haptas po bëhet aleat i KEDS-it duke lejuar këtë kompani të fryjë faturat me një haraçë shtesë e që do t’i mbulonte humbjet e KEDS-it sikur edhe vjedhjet që bëhen ndaj kësaj kompanie abuzuese”, shkruan KMDLNj.
“Sipas ZRrE nuk do të ketë ngritje të çmimit të energjisë elektrike por se konsumatorët do të paguajnë për të mbuluar humbjet e KEDS e që qenka normale në të gjitha vendet e botës e që nuk është fare e vërtetë. Konsumatorët janë plaçkitur për vite me radhë duke e paguar rrymën për serbët e veriut dhe viseve tjera të Kosovës dhe për këtë askush nuk ka dhënë përgjegjësi ndonëse kemi të bëjmë me plaçkitje klasike të konsumatorëve dhe shpërdorim të detyrës zyrtare si dhe falsifikim të dokumenteve.
Ky këshill ka ftuar organet e hetuesisë të fillojnë hetimet në ZRrE dhe KEDS.