175 sete librash në vlerë prej 50 eurosh janë shpërndarë sot në komunën e Podujevës. Prej tyre 89 sete janë ndarë për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës Nacionale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik, ndërsa 86 tjera janë dhuruar për bibliotekat e disa shkollave të kësaj komune. Këto sete janë shpërndarë nga përfaqësues të zyrës së Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, në një ceremoni ku përveç zyrtarëve komunal të pranishëm ishin edhe drejtorët e shkollave, mësimdhënësit, prindërit e nxënësit, njofton KNKRS, transmeton Llapi.info.
Me këtë rast, përfaqësuesja e zyrës së Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Arbenita Bungu, e përgëzoi Komunën e Podujevës për sukseset e arritura në gara dhe i uroi nxënësit për shpërblimet.
“Komuna e Podujevës ka pasur rezultate të jashtëzakonshme sepse ka qenë një garë e jashtëzakonshme. Në garat që i ka organizuar Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport kanë marrë pjesë rreth 316 mijë nxënës nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën. Gjithsej kanë qenë 29 komuna pjesëmarrëse dhe gara ka qenë shumë e fortë. Përveç numrit të madh të pjesëmarrësve dhe njerëzve që janë angazhuar vullnetarisht. Ju si nxënës fitues do të merrni sot nga një set me libra e cila do të jetë pasuria që do të keni në duar sepse ju e dini rëndësinë e leximit. Të gjithë ju që jeni sot këtu për të marr libra, po shpërbleheni për mundin që keni bërë”, tha Arbenita Bungu.
Ndërsa, Selman Gashi nga drejtoria komunale e arsimit uron që këto gara të jenë fillim i garave të tjera në të cilat sipas tij, nxënësit do të tregojnë suksese.
“Ne si komunë kemi treguar rezultate të mira në këtë gara dhe si rezultat i kësaj kemi zënë disa vende, duke filluar nga niveli shkollor ku kemi pasur qindra fitues, në nivelin komunal janë gjithsej 89 fitues ndërsa në nivelin republikan ku kanë marrë pjesë të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, ne si komunë kemi arritur të marrim disa shpërblime. Uroj që kjo garë të jetë fillim edhe i garave të tjera për ju nxënës dhe të mos demotivoheni por të tregoni suksese”, tha Gashi.
Përfaqësuesit e zyrës së Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport kanë vizituar disa shkolla të komunës së Podujevës dhe u kanë dhuruar libra për bibliotekat e tyre.
Nga sot tituj të ri do të ketë në bibliotekat e këtyre shkollave: “Dëshmorët e Kombit” Podujevë, “Zenel Hajdini” Lupç i Poshtëm, “Drita” Majac, “Afrimi dhe Fahriu” Lluzhan, “Sheqë Mirofci”Shtedim, “Kongresi i Manastirit” Gllamnik dhe shkolla “Pavarësia”, Sibofc. Në secilën shkollë ata u mirëpritën nga drejtorët e shkollave të cilët u ndanë të kënaqur dhe falënderues për librat./Llapi.info