Koalicioni LDK-AKR-Alternativa edhe zyrtarisht ka hapur fushatën në Podujevë për zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen më 11 qershor, shkruan Llapi.info

Me rastin e fillimit të kësaj fushate, Kryetari i LDK- së, Isa Mustafa tha se qyteti i Podujevës është treguesi më i mirë sesi është udhëhequr nga LDK.

Ndërsa, në nivel qendror Mustafa tha se LDK është parti e cila ka treguar më së miri se për dy vite e gjysmë është e mundur të qeveriset pa korrupsion.
“Podujeva është qeverisur në mënyrën më të mirë nga LDK në nivel të Kosovës. Gjatë këtyre 2 vite e gjysmë LDK ka treguar qytetarëve të Kosovës sesi është e mundur të qeveriset pa korrupsion. Nën breshrin e gazit lotsjellës gurëve dhe molotovit kemi arritur rritjen me të madhe në rajon kemi luftuar krimin korrupsioni” tha Mustafa.

Kurse, kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Avdullah Hoti tha se sot jemi në qytetin e Podujevës për të nis rrugëtimin tonë të ri, rrugëtimin e fitores. Ai tha se Podujeva nuk është përzgjedhur rastësisht për fillimin e fushatës. Arsyeja e përzgjedhjes, sipas tij, është se ky qytet qe 16 vite nuk është mposhtur asnjëherë dhe pikërisht kjo është arsyeja e përzgjedhjes për fillimin e fushatës së LDK- së. Tutje Hoti tha se më 12 qershor do të nis punën si kryeministër i vendit.

E kryetari i degës së LDK- së në Podujevë, Agim Veliu fjalimin e tij e filloi me një minutë heshtje për ish- Kryetarin e Komunës së Podujevës, Agim Kikaj. Gjatë fjalimit të tij Veliu tha se “LDK udhëhoqi në nivel nacional filozofinë e ndërtimit të pavarësisë, shtetësisë dhe demokracisë së Kosovës. Në krye të gjithë këtij procesi ishte krijuesi e dijetari prijësi e burrështetasi model, kryetari i pare i LDK- së dhe presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova.”

Ai shtoi se e “e kanë rrëzuar nga kandidimin për postin e kryeministrit kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli”

Në këtë tubim, ka folur edhe Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli i cili u shpreh se koalicioni PAN është mashtrues kurse, koalicioni pjesë e të cilit është edhe ai është “shpresë për Kosovën”./Llapi.info