Komuna e Podujevës edhe zyrtarisht do t’i mbaj zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar, pas emërimit të ish-kryetarit Agim Veliu si ministër i Punëve të Brendshme, raporton Llapi.info.

 Zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës, bazuar në vendimin e presidentit Thaçi, do të mbahen më 15 mars 2020.

Rrjeti i OJQ-ve “Demokracia Fillon Këtu”, ka shprehur shqetësime lidhur me vendimin e drejtorit të Drejtorisë së Bujqësisë në Podujevës, Vezir Januzi, për ftesën publike për aplikim për serra.

Sipas reagimi, kjo ftesë erdhi pikërisht në kohën kur komuna e Podujevës po hynë në fushatën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës.

Emri i Vezirit është përfolur si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës.

Sipas DFK, ky veprim nuk ka asnjë motiv tjetër përveç keqpërdorimit të buxhetit publik për qëllime të fushatës zgjedhore.

“Publikimi i kësaj ftese, në kohën kur po hyjmë në fushatën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës, pas dorëheqjes së Kryetarit Agim Veliu, konsiderojmë se nuk ka asnjë motiv tjetër përveç keqpërdorimit të buxhetit publik për qëllime të fushatës zgjedhore. Përdorimi i buxhetit dhe aseteve publike për qëllime fushate, është i pandershëm dhe i paligjshëm, sidomos tani që jemi në sezonë dimërore ku nevoja për “Serra” nuk ekziston dhe nuk ka një proces të planifikuar e as nevoja të identifikuara në terren”, thuhet në reagim.

E këtë ftesë Januzi e ka bërë publike edhe një postim në rrjetin social Facebook. Januzi vetëm dje gjatë ditë ka bërë dy postime në profilin e tij në Facebook, duke iu bërë thirrje qytetarëve fermer që të aplikojnë për të fituar grante.

THIRRJE PËR APLIKIM

Gepostet von Vezir Januzi am Donnerstag, 6. Februar 2020

E krejt kjo po shihet e paligjshme nga ana e rrjetit të OJQ-vë, të cilët i kanë kërkuar nënkryetari Nexhmi Rudari që të anulohet ky vendim deri pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Ne iu bëjmë thirrje pushtetit komunal të Podujevës që, në zgjedhje të hyjnë me program e ofertë politike për qytetarët dhe të mos tentojnë që me buxhetin dhe taksat tona të joshin qytetarin për ti marrë votën, ashtu siç kanë vepruar deri më tani në çdo palë zgjedhje. Në emër të rrjetit të OJQ-ve, “Demokracia Fillon Këtu” kërkojmë nga UD/Kryetari i Komunës z. Rudari dhe drejtoria përkatëse që të anulohet ky vendim deri pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme që do të mbahen me 15 mars 2020”, thuhet tutje në reagim.

Ndërkohë, sipas njoftimit për media, presidenti Thaçi e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Podujevës, në përputhje me vendimin e tij dhe ligjin në fuqi.

Po ashtu, në vendimin e presidentit Thaçi thuhet se në pajtim me nenin 10 të Ligjit Nr. 06/L-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës (GZ, Nr. 10, 03 prill 2019), Kuvendi i Komunës dhe ekzekutivi i Komunës së Podujevës nuk mund të marrë asnjë vendim lidhur me dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës nga dita e shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës.

Këto zgjedhje vijnë pasi kryetari i deritanishëm i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, është emëruar ministër i Punëve të Brendshme.