Qytetarët të shumtë kanë pritur me orë të tëra në mëngjesin e sotëm në pikën kufitare në Merdar në dalje të Kosovës. Pritjet 2 orësh pasdite janë zvogëluar në gjysmë ore

Kolonë e gjatë e automjeteve dhe pritje të gjata janë krijuar të hënën në pikën kufitare në Merdar. Bashkatdhetarët që po ktheheshin në vendet perëndimore kanë pritur rreth dy orë në mëngjesin e sotëm në dalje të Kosovës. Ndërkohë, pasdite pritjet janë zvogëluar në gjysmë ore, njofton Policia e Kosovës. Në raportin 24 orësh të saj, thuhet se lidhur me pritjet në dalje nga Kosova për në Serbi në pikë-kalimet kufitare Merdar dhe Dheu i Bardhë, gjendje është përmirësuar në orët e pasdites.
“Me qëllim të njoftimit të qytetarëve dhe gjithë opinionit të gjerë, ju informojmë së në pikë-kalimin kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë që lidhë Republikën e Kosovës me atë të Serbisë sot (06 prill 2015) në orët e hershme të mëngjesit janë krijuar kolona dhe pritje të gjata në dalje nga Kosova për në Serbi”, thuhet në këtë raport të Policisë së Kosovës.
Departamenti i Policisë Kufitare, sipas këtij raporti, edhe përkundër shtimit të personelit policor dhe aplikimit të punës së kontrollit kufitar të përshpejtuar, informon se në pikë-kalimin kufitar Merdare, në orët e hershme të mëngjesit në dalje ka pasur kolon mbi një (1) kilometër dhe pritjet kanë zgjatur nga (1) orë deri në (2) orë, varësisht prej frekuentimit të automjeteve.
“Po ashtu edhe në pikë-kalimin kufitar Dheu i Bardhë, në orët e hershme të mëngjesit janë krijuar kolona me pritje të në dalje me më pak se një (1) orë. Tani në orët e pasdites situata e pritjeve është përmirësuar, në pikë-kalimin kufitar te Dheu i Bardhë nuk ka pritje fare, ndërsa në Merdare pritjet janë të shkurtra me kohëzgjatje deri në 30 minuta, pritje këto të cilat bazuar në intensitetin e punës dhe frekuentimit të automjeteve pritet së shpejti të eliminohen dhe të mos ketë pritje fare”.
Zyrtarët e Policisë kanë thënë se nga ana e zyrtarëve policorë të Kosovës, puna është duke u zhvilluar normalisht me kapacitete dhe intensitet të shtuar.
Mirëpo, sipas tyre, kolonat-pritjet janë shkaktuar si rezultat i fluksit të automjeteve dhe procedurave që aplikohen gjatë plotësimit të dokumenteve-formularëve përkatës nga autoritetet serbe./llapi.info.