Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë lutur gjithë qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët që mundësisht të shfrytëzojnë edhe pikat tjera të kalimit kufitar përveç asaj të Merdarës.
Sipas tyre, për shkak të punimeve që zhvillohen në infrastrukturë në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdarë, është mirë të shfrytëzohen edhe pikat e tjera që lidhen me Serbinë, me qëllim që pritjet të jenë më të shkurtra.
“QKMK dhe MPB njofton të gjithë qytetarët, që për shkak të punimeve që zhvillohen në infrastrukturën e Pikës së Kalimit Kufitar në #Merdarë, që mundësisht të shfrytëzojnë edhe Pikë Kalimet Kufitare tjera që lidhen me Republikën e Serbisë me qëllim të pritjeve më të shkurta në kufi”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ndryshe, duhet cekur se këto ditë, po krijohen pritje të gjata në Merdarë pikërisht për shkak të punimeve që po zhvillohen aty dhe fluksit të madh të veturave gjatë sezonit veror.