Koloneli i Kryqit të Kuq italian Emerico Maria Laccetti deklaroi për “Novosti” të Beogradit se, pasi ishte kthyer nga misioni në Kosovë, ishte diagnostikuar me “tumor gjigant” në mushkëri.
Sipas fjalëve të tij, tumori ka qenë pasojë e drejtpërdrejtë e ekspozimit ndaj rrezatimit jonizues ndaj të cilit ishte ekspozuar në Kosovë.
Lacceti ishte kthyer në Romë në korrik të vitit 1999, pasi që me misionin e tij kishte shërbyer për t’i ndihmuar popullatës kosovare. Jo rrallë herë, siç thotë, kishte frymuar pluhur dhe qeliza menjëherë pas bombardimeve.
Sipas fjalëve të tij, që në nëntor kishin nisur problemet me frymëmarrjen, ndërsa nga fundi i dhjetorit ishte konfirmuar se ka tumor gjigant.
“Më 1 janar u shtrova në spital, ndërsa tri ditë më vonë m’u mor kampion për biopsi. Erdhi diagnoza më e rëndë”, rrëfen 55-vjeçari, transmeton Express.
Më 13 janar masa ia ka mbyllur krejt funksionet e qafës dhe ka nisur t’ia shtypë zemrën, ndërsa pas biopsisë ka nisur me kimioterapi, e cila ka ndikuar mirë te koloneli dhe masa është zvogëluar për 95 për qind.
“Ka mbetur 5 për qind e tumorit dhe tani jam nën kontroll të vazhdueshëm, ngase në tumor është gjetur masa tekstualisht ‘qeramikë e rrumbullakët’, pasojë e radiacionit dhe temperaturave të larta që zhvillohen gjatë shpërthimit të projektilëve të uraniumit të varfëruar i cili, dihet se i takon teknologjisë bërthamore”, thotë Lecceti.
Ai tregon se ka probleme të mëdha me eshtrat, se ka protezë në vend të njërës kërdhokull, si dhe me bërrylat dhe shpatullat.
Pas një beteje të gjatë juridike, Gjykata e Romës më 2009 ia ka njohur Laccetit statusin e “viktimës së detyrës”, ndërsa si shkaktar është cekur ekspozimi ndaj rrezatimit jonizues, ndërsa dëmshpërblim të pjesshëm ka marrë më 2012.
Sipas të dhënave të fundit, nga viti 1999 deri sot kanë vdekur 359, ndërsa janë sëmurë mbi 4.000 ushtarë italianë që kanë qenë të ekspozuar ndaj uraniumit të varfëruar, ndërsa në mesin e tyre ka shumë që kanë shërbyer edhe në Kosovë, si dhe në Bosnjë e Hercegovinë, Afganistan, Liban dhe vatra tjera të luftës në botë.