Momenti më i vështirë për mua gjatë luftës ka qenë momenti i rënies së shokut tim, Bedri Bajramit, ka deklaruar për Tëvë1 ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit Rrustem Mustafa-Remi.

Krahas kësaj, për Remin i vështirë ishte edhe momenti kur me mijëra gra, burra, pleq e të rinj, u nisën në drejtim të Prishtinës.

“Kemi pasur rastin e rënies së shokut tim të studimeve, Bedri Bajramit. Është ngjarja më e rëndësishme dhe më e vështirë që mua më ka goditur, e për të cilën nuk kam mundur të këndellem lehtë. Mirëpo, nuk kam qenë i përgatitur që njerëzit do të detyrohen me lejen tonë, të dalin në rresht përmes korridoreve armike në drejtim të Prishtinës. Kjo ka qenë për mua e pa përballueshme. Është i papërshkrueshëm momenti kur në rreshta, gra, burra, të rinj e pleq, për të cilën nuk e dinin nga do të shkonin apo në cilën rrugë”, tha ai në emisionin “Info Nata”.

Ish-komandanti tutje tregoi se ka qenë i përgatitur për të gjitha, duke përfshirë këtu edhe ikjen nga familja.