Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, me rastin e ditës Botërore kundër duhanit bën thirrje që të merren masa parandaluese për vetëdijësimin dhe ndalimin e konsumimit të duhanit nga fëmijët, ekspozimit të fëmijëve ndaj tymit të duhanit, si dhe kufizimin e qasjes së fëmijëve për blerjen e duhanit.
Në Kosovë, sipas kumtesës nga KOMF, tri të katërtat (78%) e meshkujve dhe gjysma e femrave (47%) raportojnë të kenë përdorur ndonjëherë produkte duhani, 34% e meshkujve dhe 19% e femrave kanë tymosur cigare, apo kanë përdorur produkte duhani të tymosura apo të pa tymosura gjatë muajit të fundit (burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës). Një e pesta (18%) e femrave dhe më shumë se një e treta e meshkujve (37%) të moshës 15-49 vjeçare që aktualisht tymosin duhan, jetojnë në të njëjtat ekonomi familjare me së paku një fëmijë nën moshën pesë vjeçare.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përdorimi i duhanit është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për një numër sëmundjesh kronike, duke përfshirë kancerin, sëmundjet e mushkërive dhe sëmundjet kardiovaskulare. Shumë studime tregojnë se duhanpirësit e rinj kanë më shumë gjasa të eksperimentojnë edhe me substanca të tjera narkotike.
Fëmijët në Kosovë, thotë kumtesa, janë të ekspozuar dhe të rrezikuar edhe nga pirja pasive e duhanit. Pirja pasive e duhanit nënkupton thithjen e tymit që vjen nga dikush tjetër që pi duhan, qoftë në familje, lokale afariste apo ambiente të tjera. Fëmijët e ekspozuar ndaj pirjes pasive të duhanit në familje kanë një rrezik më të madh të marrjes së infeksioneve dhe sëmundjeve të mushkërive, duke përfshirë bronkitin, pneumoninë si dhe sëmundjet kardiovaskulare. Pirja e duhanit gjatë shtatzënisë është faktor rreziku i lindjeve të foshnjave me peshë të ulët.
Edhe pse në vitin 2008 Kosova ka miratuar Ligjin për Kontrollin e Duhanit, megjithatë qytetarët e Kosovës në masë të madhe shkelin ligjin kundër pirjes së duhanit. Ligji i duhanit nuk respektohet në shumë prej lokaleve afariste, madje raportimet e medieve kanë nxjerrë që ligji kundër pirjes së duhanit nuk respektohet as në disa prej institucioneve publike.
Kosova duhet ta vërë prioritet mbrojtjen e shëndetit publik, mbrojtjen e fëmijëve nga pasojat shkatërruese shëndetësore dhe sociale të konsumimit të duhanit. Në mënyrë që fëmijët të gëzojnë një jetë të shëndetshme, duhet bërë mobilizimi mbarë shoqëror dhe mobilizimi i institucioneve përkatëse përgjegjëse për shëndetin e fëmijës në Republikën e Kosovës.
KOMF i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe komunave të zhvillojnë masa dhe programe për parandalimin e përdorimit të duhanit nga fëmijët.