Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka fituar në të dy shkallët procesin gjyqësor që është zhvilluar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës me kompaninë ESBI nga Republika e Irlandës.
Përmes një komunikate thuhet se AKP ka kursyer buxhetin e Kosovës për rreth 10 milionë euro nga dënimet potenciale.
AKP ka njoftuar se, kolegji i Ankesave i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës ka lëshuar Aktgjykimin me të cilën ka refuzuar ankesën e paditësit ESBI Consultants Limited nga Republika e Irlandës me çka ka vërtetuar Aktgjykimin e lëshuar nga Kolegji i Specializuar i po kësaj Gjykate që e ka refuzuar si të pabazuar padinë e ESBI-së.
“ESBI Consultants Limited, kompani e regjistruar në Irlandë, ishte e angazhuar në menaxhimin e Korporatës Energjetike të Kosovës në vitet 2004-2006 përmes një kontrate të lidhur me ish- AKM-në. Më 26 qershor 2008 ESBI kishte ushtruar padi ndaj ish AKM-së për, siç thuhej në padi, mospërmbushje të detyrimeve ndaj saj për angazhimin në KEK. Vlen të theksohet se vlera e kontestit ka qenë 4,945,128.83€, ndërsa duke llogaritur pretendimet e ankuesit në interes (kamatë) nga viti 2006 e deri më tani që në vlerë totale i bie afër 10 milionë euro”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, ky është edhe një rast i fituar i AKP-së në betejat ligjore në mbrojtje të interesave të ndërmarrjeve të Kosovës.