Të gjetura dhe shkelje të shumta ka publikuar Zyra Kombëtare e Auditmit në Komunën e Podujevës. Komunës së udhëhequr nga Agim Veliu duket se nuk i kanë mjaftuar shkeljet dhe rekomandimet e Auditorit për vitet paraprake, njofton Llapi.info
Madje, kjo Komunë ka bërë shkelje të tjera, kështu duke e dëmtuar buxhetin dhe duke shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, pasi ka lidhur kontratë me kompanitë më të shtrenjta.
Komuna e Podujevës e ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik në vitin e kaluar duke shpërblyer me tender kompanitë më të shtrenjta.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka zbuluar se për tenderin për rregullimin e shtratit të lumit Llap, buxhetit të Komunës i ka kushtuar për më shumë se 23 mijë euro.
“Rregullimi i shtratit të lumit Llap-vazhdim” është eliminuar kompania për mungesë të referencave për punë të ngjashme në tre vitet e fundit, edhe pse ajo e ka pasur në dosje listën e projekteve së bashku me kontrata të nënshkruara. Komuna nuk kishte kërkuar informacione apo dokumente për sqarim të tenderit. Oferta e kompanisë të eliminuar ishte 136,666 euro, ndërsa kontrata e nënshkruar me kompaninë ishte 159,751 euro apo 23,085 euro më e madhe. Sipas Auditorit, komisioni nuk ishte në dijeni se mund të kërkojnë informacione apo dokumente shtesë. Sipas nenit 39 të Rregullave dhe Udhëzuesit operativ për Prokurim Publik pika 3, lejohet që një autoritet kontraktues gjatë vlerësimit të kërkoj dhe të marrë informacione apo dokumente, të cilat mungojnë në aplikacion/tender”, thuhet në Raportin e Auditorit lidhur më këtë shkelje të Zyrës së prokurimit të Komunës së Podujevës.
Në këtë raport, Auditori ka zbuluar se në një tjetër tender komisioni për vlerësimin e tenderëve nuk i ka vërejtur disa gabime aritmetikore të cilat kanë bërë që të shpërblehet me kontratë oferta më e shtrenjtë.
“Sipas ligjit Autoriteti Kontraktues duhet të përmirësojë gabimet plotësisht aritmetike në tender nëse gabimet e tilla zbulohen gjatë ekzaminimit të tenderëve sidoqoftë ky përmirësim nuk mund të jetë më shumë se dy për qind e vlerës totale të ofertës. Tek procedura e prokurimit “Renovimi i disa objekteve shkollore ” në vlerë 112,545 euro, Operatori Ekonomik i shpallur fitues kishte bërë gabime aritmetikore në tender në vlerë 1,700 euro. Nëse do të identifikohej gabimi nga komisioni për vlerësim të tenderëve, atëherë kontrata do të duhej t’i jepej OE të përgjegjshëm të renditur me numër dy me çmim total 113,832 euro”, thuhet në raportin e Auditorit.
Auditori ka shfaqur rrezikun se mos respektimi i dispozitave ligjore të prokurimit publik mund të anuloj procedurat e prokurimit dhe projektet mund të mbesin pa përfunduar, gjithashtu mund t’i shkaktoj humbje financiarë komunës.
Sipas Auditorit, kryetari duhet të siguroj që komisioni për vlerësimin e tenderëve bën ekzaminimin e plotë të ofertave, dhe aty ku vërehen gabime aritmetikore apo nevoja për sqarime tjera nga OE, t’i informoj ata duke bërë ndryshimet e nevojshme brenda kufijve të lejuar.
Në Auditmin e pasqyrave financiare të kësaj komune janë vërejtur edhe shkelje tjera të Ligjit të prokurimit. Një rast ka të bëjë me vazhdimin e kontratës pa procedura të prokurimit.
Sipas rregullave dhe Udhëzuesit të Prokurimit Publik, një kontratë nuk mund të vazhdohet, përtërihet ose përcillet nga një kontratë pasuese pa administrimin e procedurës së re.
Komuna e Podujevës, në nëntor të vitin 2017 kishte nënshkruar kontratën për furnizim me dru në vlerë 9,575 euro, me kohëzgjatje prej 10 ditësh, me arsyetimin se do të shfrytëzonte kontratën që do të lidhej nga Agjencia Qendrore e Prokurimit.
“Përcjellë këtë arsyetim dhe vonesat në zhvillimin e procedurës për kontratën e re, pas skadimit të kontratës së lartcekur komuna kishte vazhduar të njëjtën kontratë për afat të pacaktuar, duke anashkaluar ligjin e prokurimit publik. Nga ky vazhdim kontrate, gjatë vitit 2018, komuna kishte bërë blerje në vlerë prej 85,217€. Sipas komunës, nevoja emergjente për ngrohje në shkollat e Podujevës, ka bërë që të vazhdohet kontrata në këtë mënyrë”, thuhet në raportin e Auditorit.
Sipas ZKA-së, si rezultat i mos respektimit të ligjit të prokurimit në rastet emergjente siç është proceduara e negociuar apo urgjente, mund të jetë që, furnizimet me dru të jenë me çmime më të larta, ngase nuk ka dhënë mundësi të negocimit të çmimit, apo pranimit të ofertave të reja nga konkurrentët potencial./Llapi.info