Pastrimi i pyjeve që ka filluar në disa pjesë të Llapit, ka nxjerr në pah edhe mosbashkëpunimin Komunë-Agjencia e Pyjeve të Kosovës.
Zyrtarë të Komunës së Podujevës dhe ata të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës (APK) kanë adresuar akuza ndaj njëri-tjetrit për mosmirëmbajtjen e pyjeve në territorin e Llapit. Shkas është bërë fillimi i një aksioni për pastrimin e mbetjeve në malet e fshatit Dumnicë te vendi i ashtuquajtur “Te krojtë”, dhe “Te pishat”në Dobërdol.
Shef i Sektorit të Pylltarisë në Komunën e Podujevës,Faik Kadriu, ka thënë se nga 1 korriku ka filluar pastrimi i këtyre mbetjeve që ishin shkaktuar nga djegia e këtyre pyjeve në vitin 2012. Kadriu tha se APK-ja deri tash nuk ka ndërmarrë asgjë për zgjidhjen e çështje së këtyre mbeturinave, të cilat tash do të vendosen në afërsi të rrugëve.
“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale i ka angazhuar 75 punëtorë për pastrimin e këtyre maleve. Ndërsa, Agjencioni i Pyjeve të Kosovës (APK), e bënë mbikëqyrjen e tyre.Pastrimi i këtyre maleve do të zgjasë dy muaj. Ndërsa, mbeturinat e djegura nga zjarri do të grumbullohen në një vend dhe do të lihen diku në pyje. Ne kemi bërë kërkesë në APK për zgjidhjen e çështjes së këtyre mbeturinave, por nuk është ndërmarrë asgjë”, ka thënë Faik Kadriu.
Ndërsa, kryeshefi i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Ahmet Zejnullahu, tha se këto mbeturina grumbullohen në afërsi të rrugëve, në mënyrë që drunjtë të merren për shfrytëzim nga persona të caktuar.
“Komuna e Podujevë ka përfituar më së shumti nga APK – ja, por asnjëherë nuk kanë qenë në gatishmëri të punojë as për mbrojtje të pyjeve, as për pastrim e as për transport, edhe pse në këtë komunë ka 75 punëtorë për pastrim të pyjeve dhe 10 për mbrojtje nga zjarri”, ka thënë Ahmet Zejnullahu.
Sipas tij, mbrojtja e pyetjeve edhe me Ligj është përgjegjësi e komunës, e jo e AKP – së.
“Edhe pse në ato pyje ka roja, ata asnjëherë nuk kanë lajmëruar për zjarr në këto pyje, por janë qytetarët që na njoftojnë. Nëse e krahasojmë me komuna tjera, Komuna e Podujevës është komuna që ka më shumti punëtorë të angazhuar për pastrimin dhe mirëmbajtjen e pyjeve, por ata punojnë më së paku në këtë drejtim”, tha Zejnullahu. /Llapi.info