Koha e grevës së pronarëve të kompanive të autobusëve në linjën Podujevë- Prishtinë e cila po mbahet sot, po cilësohet e papërshtatshme nga zyrtarët komunal të Podujevës.
Shefi i Zyrës për Informim në Komunën e Podujevës, Nazmi Elezi, në një prononcim për portalin Llapi.info tha se është e quditshme se si operatorët e transportit publik janë në grevë në kohën kur po zhvillohet aksioni për parandalimin e punës së taksive ilegal.
“Greva e pronarëve të kompanive të transportit publik të autobusëve të relacionit Prishtinë- Podujevë vjen në momentin kur Komuna e Podujevës ka intesifikuar aktivitetet dhe është duke realizuar aksionin e parandalimit të punës së taksive ilegale. Aksioni po vazhdon, prandaj është e quditshme pse ata bëjnë grevë në kohën kur po zhvillohet ky aksion”, ka thënë Elezi për Llapi.info.
Ai ka treguar se inspektoriati i Komunës së Podujevës në bashkëpunim me inspektorët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe me asistimin e policisë që nga 1 marsi deri më 12 mars ka zhvilluar një aksion për parandalimin e punës së taksive ilegale, me ç’rast ka konfiskuar 33 automjete, ka shqiptuar 33 aktvendime dhe në të njëjtën kohë ka bërë 33 procesverbale.
Elezi bëri të ditur për Llapi.info se një aksion i tillë është duke u zhvilluar edhe tani.
“Aksioni i njëjtë është duke u zhvilluar edhe tani. Që nga 4 prilli deri më 16 prill, inspeksioni komunal në bashkëpunim me inspektorët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe me asistimin e policisë kanë konfiskuar 25 automjete që kanë kryer punën ilegale të taksive, ka bërë 25 aktvendime dhe 26 procesverbale”, tha Elezi.
Ai tregoi se sot, në ditën kur operatorët e transportit publik janë në grevë, janë konfiskuar 5 automjete të taksive ilegale.
Pronarët e kompanive të autobusëve të linjës Podujevë- Prishtinë janë në grevë që nga ora 06:00 e mëngjesit. Greva e tyre pritet të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, në parandalimin e taksive ilegal./Llapi.info