Akuza të shumta janë hedhur në drejtim të partisë se cila udhëheq me Komunën e Podujevës (LDK), për mënyrën e shpërndarjes së pakove ushqimore në kohë pandemie, raporton Llapi.info.
Të shumtë këshilltarë komunalë opozitarë kanë fajësuar ekzekutivin se kanë qenë të përjashtuar për shpërndarjen e këtyre pakove, madje edhe pse të njëjtit kanë votuar unanimisht që t’u dilet në ndihmë qytetarëve në këtë kohë. Ata kanë akuzuar komunarët se ndihmat janë shpërndarë në baza partiake dhe jo atyre që kanë pasur nevojë.
Në mbledhjen e Kuvendit të mbajtur sot, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Zaim Thaçi, para kuvendarëve prezantoi informatën lidhur me shpërndarjen e ndihmave me pako ushqimore dhe higjienike qytetarëve në nevojë dhe ndihmave të tjera nga donatorë të ndryshëm, në periudhën e pandemisë COVID-19.
Thaçi tha se buxheti i saj ka ndarë 135 mijë euro, me të cilat janë ndihmuar 2,280 familje me pako ushqimore, kurse nga donatorë të ndryshëm janë ndihmuar edhe mbi 2,000 familje me pako ushqimore dhe miell.
Shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së, Vendenis Lahu, ka theksuar se ka pasur edhe mungesë të një plani për këtë proces. Ai ka shtuar se në pako kanë munguar produktet. Sipas tij, shumë produkte të përfshira në pako, në tregun me pakicë mund të gjenden me çmime më të favorshme sesa çmimet me të cilat janë blerë.
“Mungesa e një plani konkret të veprimit të prezantuar para Kuvendit, votat e të cilit kërkoheshin për të mundësuar të ndihmohen qytetarët e komunës sonë, doli të ketë qenë konkretisht plani i keqpërdorimit të kësaj pakoje për qëllime politike e elektorale, por edhe për të shpërblyer operatorë ekonomikë të afërt me LDK-në. Disa qytetarë kanë treguar se pakot nuk i kanë marrë të plota, aty kanë munguar disa produkte të cilat është dashur të jenë. Prandaj, rreth përzgjedhjes së kompanisë për furnizim kam një pyetje: Sa kompani janë ftuar të ofertojnë apo e keni zgjedhur me preferencë tuaj operatorin ‘Beni-Dona’? Nëse keni ftuar më shumë se një operator, a mund të na thoni cilët janë ata dhe të na ofroni të dhëna në letër?”, ka thënë Lahu.
Më tej, Lahu ka thënë se Komuna e Podujevës është vonuar për më shumë se 20 ditë për tenderin, edhe pse i njëjti siç ka thënë ai, është bërë në formë të negocimit.
“Jeni vonuar që t’u gjendeni afër qytetarëve me kohë dhe ky s’është dështim i vogël. Dhe jeni duke vazhduar të vonoheni. Informatat e ofruara janë pothuajse in-ekzistente. Nuk ka listë të përfitueseve të deritashëm. Nuk keni dhënë as minimumin e kritereve mbi bazën e të cilave janë shpërndarë pakot. Shumë familje në asistencë sociale nuk janë ndihmuar”, ka deklaruar Vendenis Lahu.
Sa i përket kësaj çështjeje, kritikat s’i ka ndalur as këshilltari nga radhët e PDK-së, Pajtim Hodolli. Ky i fundit ka thënë se shpërndarja e pakove është bërë pa asnjë kriter. Ai ka pasur vërejtje edhe pse nuk ka pasur koordinim me Bashkësinë Islame të Kosovës për të koordinuar ndihmat në terren.
“Vlen m’i përmend vetëm dy raste nga fshati që vij unë, të cilët i njoh personalisht: Një familje me 6 anëtarëshe, ndër ta edhe fëmijë të vegjël, janë anashkaluar në ndihma vetëm pse janë votues të PDK-së. Një rast tjetër edhe më i dhimbshëm, një familje me 8 anëtarëshe, ndër ta 4 fëmijë nën moshën 10 vjeçare, vetëm pse kanë kaluar nga LDK në VV u është mohuar e drejta e pakove ushqimore. Këtë ma kanë kërkuar ata vetë për ta përmendur në kuvend”, ka thënë ai.
“Shtrohet pyetja, a i keni nda ato mjete për qytetarët në nevojë, apo për elektorat të ndonjë partie? Në bazë të çfarë kriteri është bërë përzgjedhja e përfituesve të këtyre ndihmave? Kush ka vendosur që një familje ka nevojë të ndihmohet? A ka të dhëna se sa herë është ndihmuar një familje nga komuna dhe shoqatat e ndryshme humanitare deri me tani?”, ka pyetur këshilltari i PDK-së, Pajtim Hodolli.
Kurse, Avni Fetahu i VV-së, ka akuzuar Komunën edhe për operatorin ekonomik që e ka përzgjedh për blerjen e këtyre pakove ushqimore e higjienike.
“Unë, më shumë jam i shqetësuar për procedurën e prokurimit. Këto procedura kanë zgjat për 20 ditë, edhe me i ardh rendi Ragip Mustafës (BENI DONA) një milioneri me fitua tenderin për pako ushqimore i cili e ka përkrah fushatën e juaj të LDK-së. Unë me pas ditë që ky e fiton tenderin kurrë se kisha votu këtë shumë prej 125,000 €, për besë e kisha shitur krejt pasurinë e nuk ia kisha dhënë kurrë Ragip Mustafës. Këtë çështjen e negocimit e keni goxha të sofistikuar siç e kemi parë edhe në atë videon e famshme të menaxherit të prokurimit, Rasimit, po jo atij cirkuzit, po këtij cirkuzit të Podujevës, i cili kurdisë tenderë”, ka thënë Fetahu.
Pas këtyre akuzave, drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Zaim Thaçi, ka shtuar se kanë mbetur edhe 280 pako për t’u shpërndarë, në mënyrë që të kompletohet lista.
“Nëse dikush është përjashtuar, të na i jap emrat dhe ne do t’iu dalim në ndihmë. Nëse janë 2 familje që kanë kërkuar ndihmë dhe janë kthyer negativisht, unë personalisht kam me hetua këtë rast. Nëse dikush është larguar për shkak të përcaktimit partiak, unë jap përgjegjësi, vetëm nëse ka marrë njëherë. Ne kemi formuar një komision, e ne kemi dashur që ai komision komunal ka qenë apolitik nga zyrtarë të komunës” është shprehur Thaçi.
Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë se personalisht nuk ka marrë pjesë në dhënien e këtyre ndihmave.
“Në çdo intervistë e kam thënë se ndihem krenar që ndihma për pakot është votuar unanimisht. Në asnjë rast nuk kam marrë pjesë në shpërndarjen e ndihmave”, ka thënë Rudari, teksa ka shtuar se Podujeva tash e më shumë se një muaj s’ka raste aktive me COVID-19./Llapi.info