Foto: Llapi.info

Me akuza të shumta janë përballuar komunarët në seancën e fundit të Kuvendit për mënyrën e shpenzimit të buxhetit komunal. Opozita ka kritikuar ekzekutivin e Podujevës se po e keqpërdorin dhe po e keqmenaxhojnë paranë publike, raporton Llapi.info.

Këto akuza janë hedhur për komunarët në pikën kur po diskutohej raporti financiar për vitin 2019. Në këtë seancë, raportin financiar për vitin 2019 e ka paraqitur përpara asamblesë drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi.

Lidhur me këtë pikë, Latifi ka thënë se Buxheti i alokuar për vitin 2019 ka qenë 22,318,147 euro, prej të cilave janë shpenzuar 21,200,808, ose 94.99 e buxhetit. duke përfshirë edhe donacionet.

Në anën tjetër, këshilltarja e VV-së, Doruntinë Hasani, ka thënë se Komunës së Podujevës i ka tepruar buxheti, pasi që siç ka thënë ajo, sërish ka suficit prej 10 për qind. Ajo ka thënë se mungojnë investimet në këtë komunë.

“Qe dy vite radhazi ju kemi paralajmëruar se do të kemi suficit nëse shkoni me këtë mendësi të investimeve. Sikurse në vitin 2018 që kishte 27 për qind të buxhetit tepricë, edhe në këtë vit ka tepricë prej 10 për qind. Tek pagat e mëditjet keni bërë një përshkrim amator, pa i specifikuar kategoritë se ku ka tepruar buxheti. S’dihet as sa persona janë me kontratë mbi vepër, kur e dimë që në kohën e zgjedhjeve ka pasur rritje të tyre. Kurse, te shpenzimet e mallrave dhe shërbimeve s’kemi çka të flasim. Këtë e ka pasqyron më së miri videoja e publikuar të menaxherit të prokurimit, i cili bënë pazaret duke i detyruar operatorët më të lirë të tërhiqen, e duke i dhënë tenderin operatorit që ka lidhje me partinë tuaj”, ka thënë Hasani.

Këshilltarja Hasani ka theksuar se investimet kapitale në Podujevë nuk janë realizuar, duke shtuar se drejtoritë nuk i kanë raportuar shpenzimet dhe të hyrat në raport.

“Tek investimet kapitale në nëntë mujorin e parë janë shpenzuar 2 milionë e 961 mijë euro nga 6 milionë e 701 mijë sa ishin të planifikuara. Tendenca e madhe e shpenzimeve shihet që kanë qenë në tre mujorin e fundit, pikërisht për atë që thash që bëhet fjalë për kurdisje të tenderëve dhe mbi 720 mijë euro janë tepruar nga ky buxhet. Se cilat projekte kanë mbetur pa u realizuar s’ka sqarime. Deri te ky problem po vije si pasojë se drejtoritë nuk po raportojnë ndaras për shpenzimet dhe të hyrat në raport. Shembull për këtë është edhe drejtoria e Bujqësisë”, ka thënë ajo.

Këshilltarja e VV-së ka treguar edhe shpenzimet të cilat janë rritur nga Komuna e Podujevës.

“Kodi 13210; rryma nga 174.252 euro në vitin 2918, është rritur në vitin 2019 në 202.414 euro. 25 mijë euro të rriten shpenzimet për rrymë janë shumë. Mbeturinat në vitin 2018 ishin 52 mijë e 261 euro, ndërsa në vitin 2019 janë 95 mijë e 472 euro. Shpenzimet e vendimeve gjyqësore nga 28 mijë e 317 euro në vitin 2018, është rritur në 82 mijë e 317 euro. Kjo tregon se diçka fshihet pas saj e që ju e dini më së miri.  Ujësjellësi nga 25 mijë euro në vitin 2018, në 259.633 euro ne vitin 2019 pse ky shpenzim kaq i lartë”, ka thënë ajo, duke përmendur edhe kodet tjera, në të cilët, sipas saj ka pasur rritje enorme të shpenzimeve.

Hasani ka thënë se “gjithë ky raport tregon qartë paaftësinë për ta menaxhuar paranë publike, e keqemenaxhuesit duhet të japin llogari para qytetarëve”.

Në lidhje me këtë raport, kritika kanë hedhur edhe këshilltarët tjerë të opozitës. Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Fatmir Rudari, ka thënë se shqetësim vazhdon të mbetet shpenzimi i madh i buxhetit për gjykata.

“Si shqetësim që po na përsëritet çdo vit janë shpenzimet gjyqësore. Rreth 200 mijë euro është vetëm shpenzimi për gjykata, që do të thotë se është diçka shumë e madhe. Parqet dhe hapësirat publike në raport na paraqitet disa herë në vlerë prej 320 mijë euro, por s’dihet se për cilat parqe bëhet fjalë”, ka thënë Rudari.

Kurse, këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se s’ka kritere sa i përket mënyrës së shpërndarjes së subvencioneve për fermerët. Ai ka kërkuar nga drejtorët e Drejtorive që t’i publikojnë listat e përfituesve në çdo sektor.

“Ky nuk është raport, ky është vetëm një njoftim. Buxheti është më së miri me u shpenzua 100 për qind në të mirë të qytetarëve dhe mos me pasur suficit. Thatë janë mbështet fermerët. Duhet me qenë i gatshëm i drejtori i Bujqësisë, Vezir Januzi, me i pasur listat e fermerëve të cilat janë mbështetur në vitin 2019. Duhet me e dit se kush po mbështet vazhdimisht e kush jo. Kush po mbështetet nga OJQ-të? Duhet cekur dhe ditur se kush janë ato OJQ? Nxënësit dhe studentët duhet me pasur kritere për bursa dhe të bëhen publike. Një rast po e përmendi, në fshatin Dobërdol një fermeri i janë dhënë tri serra nga Drejtoria e Bujqësisë, dy prej tyre i ka qitur në shitje. Është banalitet i madh. Banalitet i madh është me i dhanë serrë fermerit që mbjell kanabis në të. Kështu që duhet me pas kritere. Duhet listat me i sjellë drejtori i Bujqësisë, kurse në infrastrukturë qytetarët e shohin vetë gjendjen”, ka thënë Llapashtica.

Avni Fetahu i VV-së ka potencuar se ky raport, sipas tij, paraqet keqqeverisjen e LDK-së në Podujevë. Për këtë, Fetahu e ka bërë fajtor ish-kryetarin Agim Veliun.

“Raporti financiar për vitin 2019 paraqet gjendjen se si është keqqeverisur për këtë periudhë. Fajtori kryesor për këtë është ish-kryetari, përkatësisht ish-ministri i shkarkuar (Agim Veliu). Kur e kemi një menaxhim të dobët të komunës të mjeteve financiare, jo transparente nuk ke edhe se çfarë raporti të mirëfilltë me prit, në krye me një nënkryetar (Nexhmi Rudari) dhe një tjetër i cili s’është brenda komunës por intervenon nga jashtë sa herë që lyp nevoja, pra bëhet fjalë për ministrin e shkarkuar. Për besë kemi nxënës të shkëlqyeshëm në shkollat profesionale se për fakultete s’po bëjmë llaf, ta hartojnë raportin që zemra mal të bëhet. Për dallim që e kemi një ekzekutiv që paguhet për të sjellë një raport të mirëfilltë”, ka thënë Avni Fetahu. 

Pas akuzave nga këshilltari i PDK-së, reagoi drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Vezir Januzi, i cili deklaroi se përfitues të subvencioneve janë vetëm fermerët, që siç ka thënë ai, e meritojnë t’u dilet në ndihmë.

Duhet përkujtuar se Komuna e Podujevës vazhdimisht është kritikuar për mënyrën e shpenzimit të buxhetit komunal, derisa vit pas viti ka pasur suficit./Llapi.info