Nënkryetari i Komunës së Podujevës Nexhmi Rudari priti sot në një takim udhëheqësin e Iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovë,” Luan Hasanaj, njofton Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim e Komunës së Podujevës, përcjell Llapi.info.
Në këtë takimi u bisedua për format e bashkëpunimit në mes Komunës së Podujevës dhe iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën”, për organizmin e aktiviteteve të përbashkëta për pastrimin e ambientit.
Rudari e njoftoi Hasanajn për punën dhe angazhimin e ekzekutivit në Podujevë në fushën e investimeve në krijimin e hapësirave të gjelbra dhe krahas kësaj për hapat që po ndërmerren për pastrimin dhe ruajtjen e mjedisit në Komunën e Podujevës.
Gjithashtu, Rudari u ndal në aktivitetet konkrete që po zhvillon Komuna, duke potencuar krijimin e grupit punues për hartimin e propozimit të planit komunal për menaxhimin e mbeturinave dhe përgatitjet që po bëhen për organizimin e një aksioni të madh dhe me pjesëmarrje të gjerë për pastrimin e ambientit, iniciativë kjo e cila është ndërmarrë nga Kryetari i Komunës, Agim Veliu.
Ndërsa, udhëheqës i iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj, u shpreh i lumtur me dinamikën e punës dhe seriozitetin më të cilin i është qasur Komuna e Podujevës pastrimit dhe mbrojtjes së ambientit.
Në takim u shpreh gatishmëri e dyanshme për bashkëpunim dhe koordinim në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta për aksionin për nder të “Ditës së Tokës” dhe aksionit të 24 majit “Ta Pastrojmë Kosovën”./Llapi.info