Shifra të larta ka kapur Komuna e Podujevës edhe për vitin 2018 në shpenzimet e derivateve për vetura zyrtare, shkruan Llap.info
Sipas raportit financiar për vitin 2018, Komuna e Podujevës ka shpenzuar 53 mijë e 187 euro për derivate, vetëm rreth 175 euro më pak se në vitin 2017.
Sipas këtij raportit, regjistrimi i i këtyre veturave Komunës i ka kushtuar 6 mijë e 980 euro, sigurimi i tyre 4 mijë e 354 euro, ndërsa mirëmbajtja dhe riparimi i veturave zyrtare 35 mijë e 890 euro, e të gjitha këto i kushtuan Komunës 100 mijë e 411 euro.
Në bazë të këtij raportit financiar, shifra më të mëdha janë për shërbime publike, derisa 10 mijë e 209 euro janë bërë shpenzime telefonike, e që për këtë janë dhënë kritika të shumta në seanca të Kuvendit Komunal.
Në vetëm tre mujorin e parë të vitit 2018, Komuna i pati harxhuar 5 mijë e 300 euro telefonata, e kjo ka bërë që edhe në Kuvendin Komunal të mbajtur në maj të vitit 2018 të diskutohet gjerë e gjatë.
Opozitarët patën hedhur kritika se shuma e rreth 6 mijë eurove për vetëm 3 muaj është e lartë. Madje, këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica e kishte quajtur “marramendëse”.
“Vetëm në 3 mujorin (2018), kemi 5 mijë e 300 euro për telefon që është një shumë marramendëse. Kjo për arsye se Kuvendi nuk ka shpenzime. E pa pranueshme është sepse ne i kemi thirrjet pa pagesë ditë e natë. Asnjë cent nuk paguhet sepse është marrëveshje mes kompanisë telefonike dhe kuvendeve komunale”, pati thënë Llapashtica.
Sipas të njëjtit raport, Komunës së Podujevës rryma i ka kushtuar 174 mijë e 252 euro, uji 84 mijë e 446 euro, mbeturinat 52 mijë e 261 euro. Për mëditje të udhëtimeve zyrtare brenda vendit komunarët i kanë shpenzuar për një vit 365 euro, pastaj për shpenzime të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit 3 mijë e 665 euro, mëditje të udhëtimeve zyrtare jashtë vendi 3 mijë e 483 euro dhe akomodimi i udhëtimeve zyrtare jashtë vendi 552 euro, e krejt këto në total 8 mijë e 65 euro.
Ndërsa, për furnizim me dru Komuna i harxhoi 260 mijë 652 euro, për këtë të fundit për dallim nga viti 2017, Komunës nga buxheti i ka kushtuar 138 mijë euro më shumë./Llapi.info