Banorët e fshatit Orllan të Podujevës sot përmes një proteste kanë kërkuar nga organet gjegjëse të Komunës së Podujevës që tu bëhet një zgjidhje dhe të mos i lënë ata pa ujë të pijshëm, shkruan Llapi.info.

Protestuesit të cilët u grumbulluan për kërkimin e ujit të pijshëm që nga fillimi i saj e deri në përfundim, kanë brohoritur “Orllani do ujë”.

Përveç që kërkuan ujë të pijshëm thanë se nuk do të ndalen së protestuari edhe derisa të ndërmerren masa konkrete ndaj përgjegjësve komunal dhe kompanisë “Ujësjellësi” të cilët i kanë lënë këta të fundit pa ujë të pijshëm.

“Përmes kësaj proteste ne duam ujë të pijshëm. Mund të duket çudi por vendi i cili furnizon me ujë të pijshëm qytetin e Podujevës me fshatra, përveç Orllanit me rrethinë dhe gjysma e Prishtinës nuk kemi ujë të pijshëm për vete. Ne nuk do të ndalemi duke protestuar derisa të merren masa konkrete ndaj përgjegjësve komunal dhe kompanisë “Ujësjellësi” pasi këto kërkesa tona po u drejtohen atyre të cilët janë duke na neglizhuar dhe duke mos na kyçur në rrjetin ujit të pijes” tha një protestues.

Banorët e këtij fshati kanë paralajmruar protesta tjera në rast të mos marrjes parasysh të kërkesave të tyre/LLapi.info