Zyra e Auditimit i ka dhënë komunës së Podujevës 22 rekomandime për shkeljet që janë gjetur nga auditoi për pasqyrat financiare për vitin 2017, njofton Llapi.info
Njëra ndër to, është edhe hyrja në kontrata pa mjete të buxhetuara, duke nënshkruar kontrata më të larta sesa që ishin të lejuara për buxhetin e vitit 2017 për asfaltimin e rrugëve në fshatrat Shtedim dhe Revuçë të Podujevës.
“Me rastin e nënshkrimit të disa kontratave, komuna kishte hyrë në obligime më të larta se sa që ishin të lejuara me buxhetin e vitit 2017. Gjatë procedurave, ishin nënshkruar formularë të disponueshmërisë së mjeteve përkundër që shumat nuk korrespondonin me ato të lejuara me buxhet. Po ashtu edhe zotimet ishin më të ulëta se sa shuma e kontraktuar, si:
Për projektin “Asfaltimi i disa rrugëve në fshatin Revuçë”, kontrata ishte nënshkruar në vlerë 91,463€ derisa zotimi ishte vetëm 35,000€; dhe Për projektin “Asfaltimi i disa rrugëve në fshatin Shtedim”, kontrata ishte nënshkruar në vlerë 131,663€ derisa të buxhetuara dhe të zotuara ishin vetëm 90,000€” thuhet në raport.
Sipas auditorit, nënshkrimi i kontratave në vlerë më të lartë se ajo e buxhetuar rrezikon mos përmbushjen e obligimeve ndaj OE dhe mundësisë që këto pagesa të ekzekutohen direkt nga Thesari apo përmbaruesit, duke shkaktuar kosto shtesë dhe duke dëmtuar realizimin e projekteve tjera të planifikuara.
Në lidhje me këtë auditori ka rekomanduar se kryetari, duhet të sigurojë se para nënshkrimit të kontratave të sigurohet se ekzistojnë fondet e mjaftueshme që e mbulojnë realizimin e tërësishëm të projektit për vitin përkatës, si dhe të siguroj se janë bërë zotimet e mjeteve sipas nevojave dhe rregullave të përcaktuara./Llapi.info