Foto: Llapi.info

Shtabi emergjent në Komunën e Podujevës ka mbajtur takimin e radhës, pas konfirmimit të dy personave tjerë me COVID-19, raporton Llapi.info.

Në këtë takim u është bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimit për parandalimin e kësaj pandemisë së koronavirusit.  

Në njoftimin e Komunës së Podujevës thuhet se dy personat që dolën pozitiv të hënën, njëri është me vendbanim në Podujevë dhe tjetri në fshatin Llapashticë e Poshtme.

“Lidhur me këto dy raste janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të tyre, të familjeve të tyre, me ç’rast janë bërë vizitat nga ekipi mjekësor dhe është bërë dezinfektimi i shtëpive. Gjatë takimit u tha se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për respektimin e rekomandimeve të institucioneve shëndetësore për aplikimin e masave mbrojtëse dhe kufizimit të lëvizjes së qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Sipas të njëjtit, komandanti i Stacionit Policor, Bekim Zogiani, ka ngritur shqetësim për rastin e një ceremonie mortore, ku është konstatuar se përveç familjarëve në varrim kanë marrë pjesë edhe një numër i konsiderueshëm personash të tjerë.

“Shtabi Emergjent apelon te qytetarët që të respektohen vendimet dhe rekomandimet e bëra edhe më herët dhe në raste të tilla varrimet të bëhen vetëm nga rrethi i ngushtë familjar me qëllim të ruajtjes së shëndetit, si dhe të mos organizohen të pame. Gjithashtu kërkohet nga qytetarët që, pavarësisht se jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit, të shmangin shkuarjen në iftar dhe vizitat te të afërmit”, ka thënë ai.

Zyrtarët komunalë kanë bërë të ditur se nga e mërkura, 29 prill, fillon shpërndarja e 500 pakove të para ushqimore për familjet në nevojë, si pasojë e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19, të siguruara nga buxheti i Komunës së Podujevës./Llapi.info

Pamje nga takimi