Opozita e Podujevës ia ka numëruar komunarëve gjetjet e auditorit për shkelje të ndryshme që ka bërë ekzekutivi komunal për vitin 2018, njofton Llapi.info.
Në seancën e fundit të mbajtur në Kuvendin Komunal ku pikë e rendit të ditës ka qenë edhe diskutimi për raportin e Auditorit, këshilltarët opozitarë kanë thënë se gabimet e qeverisjes në Podujevë janë duke u ripërsëritur për çdo vit.
Shefi i Grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes, Fitim Haziri, ka përmendur projektin e ujësjellësit nga Vrella e fshatit Revuçë, nga e cila parashihej të furnizoheshin me ujë fshatrat Zakut, Dobërdol, Kërpimeh, Metehi, Pakashticë e Poshtme dhe Pakashticë e Epërme dhe vetë, por që nuk është realizuar, përkundër që punimet kanë nisur për më shumë se një dekadë.
“Qytetarët kishin participuar në vlerë prej 70.120 eurosh, e cila shumë është duke u bartur vit pas viti, për shkak të mosrealizimit të projektit. Sipas Komunës, një prej fshatrave ka krijuar pengesat për shfrytëzimin e burimit të ujit, derisa pagesat për punët e kryera në disa fshatra arrijnë vlerën e 173.000 eurove. Kjo çështje është ngritur edhe vitin e kaluar, ngase është projekt me ndikim social, vonesa e të cilit prek mirëqenien e qytetarëve të cilët kanë participuar drejtpërdrejt në zbatimin e projektit”, ka thënë Haziri, duke iu referuar gjetjeve të Auditorit.
“Pra, qytetarë të Komunës së Podujevës, nëse qeverisja Veliu vazhdon t’i përsëritë të njëjtat gabime pa pushim, ky vend ka nevojë për një ndryshim të madh e ndryshimi po dihet…Shqetësuese është fakti se ky raport e nxjerrë shumë keq të vetmin ekspert që ka Komuna e Podujevës e ky nuk ka arritur të realizojë buxhetin, ku në raport thuhet se ‘Komuna kishte buxhetuar 7.012.525€ për të investuar në projekte kapitale, nga të cilat ka shpenzuar vetëm 68% apo 4,744,046€’. Një fjalë e urtë thotë ‘Veprat flasin më bindshëm se fjalët’, për ekspertin e pata fjalën”, ka shtuar Haziri.
Këshilltari i VV-së ka thënë se sikurse vitin 2017, edhe në vitin 2018, Auditori i Përgjithshëm ka gjetur shkelje të shumta në ndarjen e subvencioneve nga ana e Komunës së Podujevës.
Gjetjet e auditorit për shkeljet e bërë i ka përmendur edhe shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Fatmir Rudari. Ky i fundit e ka theksuar po ashtu çështjen e ujësjellësit Vrella, projekt ky i bartur vit pas viti edhe nga ZKA-ja.
“Objekti i hotelit “Mileniumi 2000”, në pronësi komunale, por i dhënë në shfrytëzim nuk figuron në regjistrin e pasurisë dhe pasuria nën 1000 ishin paraqitur PFV sipas vlerës fillestare, duke mos aplikuar fare zhvlerësimin. Edhe këtë vit është projekti për ndërtimin e ujësjellësit “Vrella” në bashkëfinancim me qytetarët, ka filluar qysh ne vitin 2009 i cili ende nuk ka përfunduar. Komuna kishte buxhetuar 7,012,525 euro për të investuar në projektete kapitale nga të cilat ka shpenzuar vetëm 68 % apo 4,744,046 euro, ndërsa suficiti kishin mbetur 2,268,479 euro. Realizimi i të hyrave ishte 71% që tregon një shkallë të ulët krahasuar me planifikimin ambicioz që kishte komuna”, ka thënë ndër të tjerash ai, duke përmendur edhe gjetje tjerë të ZKA-së.
Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, prezantoi Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Podujevës për vitin financiar të përfunduar më 31 dhjetor 2018, si dhe Planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në Raportin e Auditimit.
Latifi tha se opinioni i Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Podujevës për vitin 2018 është i pakualifikuar me theksim të çështjes. Sipas tij, është opinion pozitiv.
Ai gjithashtu tha se tashmë është hartuar plani i veprimit për plotësimin e rekomandimeve dhe vërejtjeve të Auditorit të Përgjithshëm./Llapi.info