Dy pacientë, të cilët kishin probleme mendore, janë dërguar sot në Qendrën e Shëndetit Mendor në Shtime, raporton Llapi.info.

Këta dy persona çdo ditë bridhnin rrugëve të qytetit të Podujevës pa përkujdesje institucionale, ndërkohë që trajtimi i tyre do të bëhet në Qendrën e Shëndetit Mendor në Shtime. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

“Pas takimit që ka zhvilluar në muajin janar kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, me drejtorin e Qendrës së Shëndetit Mendor në Prishtinë, Sami Rexhepi, ku është diskutuar mundësia e transferimit për në Qendrën e Shëndetit Mendor në Shtime të dy pacientëve me probleme mentale në Komunën e Podujevës, si dhe pas insistimit dhe këmbënguljes së kryetarit Bulliqi që të bëhet transferimi sa më parë i dy pacientëve, F. B dhe G.C, ata sot janë transferuar në Qendrën e Shëndetit Mendor në Shtime”, ka shtuar ai.

Më tej, Zhitia ka deklaruar se të gjitha shpenzimet do t’i merr përsipër Komuna e Podujevës.

“Komuna do t’i kryej të gjitha obligimet e saj që i takojnë sa i përket shpenzimeve për tretmanin që iu ofrohet dy pacientëve”, është shprehur ai./Llapi.info