Ani pse opozita në Podujevë e ka konsideruar shumë të lartë bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevs nga viti 2016 në vitin 2017, Kuvendi komunal në mbledhjen e sotme ka miratuar atë .

Në mbledhjen e sotme kuvendi ka miratur gjithashtu vendimin për mbështetje financiare të OJQ “HANDIKOSS”, Planin e punës të KKSB-së për vitin 2017 si dhe disa vendime tjera, ka njoftuar komuna e Podujevës përmes një komunikate për media.

Sipas drejtorit të Buxhetit dhe Financave në komunën e Podujevës Isuft Latifi,  të hyrat vetanake të komunës së Podujevës në shumën 781.565.69 euro do të barten në vitin 2017 dhe do të barten në administratë, shëndetësi dhe arsim.

“Të hyrat vetanake të Komunës së Podujevës, të pashpenzuara në vitin 2016, në shumën 781.565,69 euro barten në vitin 2017, në programet si vijon: administratë komunale 550, 290.88 euro, shëndetësi 15,638.50 euro dhe arsim 215, 636,31 euro”, tha drejtori Latifi, duke potencuar se mjetet e cekura destinohen në kategoritë e caktuara ekonomike.

Ndërsa nga ana tjetër, opozita në Podujevë bënë vërejtje për bartjen e mjeteve vetanake nga viti 2016 në vitin 2017, duke konsideruar se kjo shumë është e lartë. Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës diskutuan edhe këshilltaret Kumrije Hoti (PDK) dhe Adelina Stublla (VV).

Njoftimi i potë i Komunës:

Kuvendi Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme, ka miratuar vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës nga viti 2016 në vitin 2017; vendimin për mbështetje financiare OJQ “HANDIKOS”; Planin e punës të KKSB-së për vitin 2017 dhe vendime të tjera me interes për qytetarët.

Kuvendi i Komunës së Podujevës, ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e kryesoi Mehmet Gashi- kryesues i Kuvendit, në të cilën ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe drejtorët e ekzekutivit të Komunës.

Kuvendi miratoi me shumicë votash rendin e ditës, sipas rekomandimit të Komitetit për Politikë dhe Financa.

Lidhur me propozimin e vendimit për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës nga viti 2016 në vitin 2017 dhe destinimin në kategori të caktuara buxhetore, foli drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi.

“Të hyrat vetanake të Komunës së Podujevës, të pashpenzuara në vitin 2016, në shumën 781.565,69 euro barten në vitin 2017, në programet si vijon: administratë komunale 550, 290.88 euro, shëndetësi 15,638.50 euro dhe arsim 215, 636,31 euro”, tha drejtori Latifi, duke potencuar se mjetet e cekura destinohen në kategoritë e caktuara ekonomike.

Bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës nga viti 2016 në vitin 2017 dhe destinimin në kategori të caktuara e mbështeti shefi i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, Fidan Rekaliu.

Ndërsa, shefi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, shefi i Grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Rudari dhe këshilltarët Lutfi Rexhepi (PDK), Flakron Gashi (PDK), Bahri Selimi (VV) bënë vërejtje për bartjen e mjeteve vetanake nga viti 2016 në vitin 2017, duke konsideruar se kjo shumë është e lartë. Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës diskutuan edhe këshilltaret Kumrije Hoti (PDK) dhe Adelina Stublla (VV).

Pas diskutimeve lidhur më këtë pikë të rendit të ditës, Kuvendi me shumicë votash miratoi vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës nga viti 2016 në vitin 2017 dhe destinimin në kategori të caktuara buxhetore.

Kuvendi gjithashtu, pas diskutimeve miratoi edhe vendimin për mbështetje financiare OJQ-në HANDIKOS – Qendra e rehabilitimit të bazuar në bashkësi; Planin e punës të KKSB-së për vitin 2017; vendimin për dhënien e pronave të paluajtshme të Komunës dhe pronës publike rrugë – lokale në shfrytëzim afatgjatë Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike – KEDS dhe vendimin për ndryshimin e përbërjes së Komitetit për Komunitete.