Në shumë Komuna të Kosovës tashmë ka përfunduar dekorimi i qyteteve për festat e fundvitit, ndërsa në Podujevë pritet të fillojë gjatë ditës së mërkurë, njofton Llapi.info.
Sikurse edhe në vitet tjera, Komuna e Prishtinës prinë sa i përket ndarjes së buxhetit për këto festa. Kjo komunë e cila udhëhiqet nga Shpend Ahmeti sivjet ka shpenzuar rreth 63 mijë euro për zbukurimin e qytetit, shumë kjo e cila vije nga kontrata kornizë në vlerë prej 190 mijë euro për 36 muaj (3 vjet).
Mijëra euro po ndan edhe komuna e cila për kryetar ka Agim Veliun, ajo e Podujevës. Për çudi gjithherë dekorohen të njëjtat hapësira publike (rrugë e sheshe), por dallim ka në ndarje të parave (buxhetit). Vit pas viti, kësaj komune po i kushton më shtrenjtë stolisja e një bredhi në sheshin Ali Ajeti dhe zbukurime në ndriçim të pemëve në disa rrugë të qytetit. Të gjitha këto për shumë vjet i bënë kompania e njëjtë.
Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, Komuna e Podujevës sivjet ka ndarë plot 9 mijë e 788 euro për zbukurime.
Zëdhënës i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi në një përgjigje javë më parë për Llapi.info ka deklaruar se dekorimi do të bëhet në pjesën e qytetit, sikurse në vitet paraprake.
Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal u propozua që mjetet e parapara të shpenzohen për dekorim të shkojnë për zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri, mirëpo kjo nuk do të ndodh. Kështu të paktën ka thënë për Llapi.info drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi. Sipas tij, nesër do të fillohet me stolisjen e qytetit.
“Nuk e kemi lëkundur qëndrimin, nesër pritet të fillojë dekorimi”, ka thënë Muçiqi për Llapi.info.
Për vitin paraprak, Komunës së Podujevës i kushtoi për 2 mijë e 345 euro më shumë stolisja e qytetit, gjithsej 9 mijë e 945. Edhe këtë vit punimet do t’i kryejë kompania “Anea”.
Kujtojmë, kompania “Anea”, ka bërë dekorimin e qytetit të Podujevës edhe në vitet paraprake, derisa e njëjta kompani do t’i tërheq zbukurimet në javët e para të janarit./Llapi.info