Komuna e Podujevës ka hyrë në pazar për të blerë 22 laptopë për këshilltarët në asamblenë komunale, njofton Llapi.info
Kjo Komunë ka bërë hapjen e tenderit më 25 mars të këtij viti, për të cilët ka planifikuar t’i shpenzojë 9 mijë euro apo rreth 410 euro për një laptop.
Përveç laptopëve, në kërkesën e Komunës figuron edhe pajisje me çantë për secilin prej laptopëve, si dhe një vit garancion për ta.
Sipas thirrjes për tender, këta laptopë janë për nevoja të Kuvendit Komunal të Podujevës.
Llojet e laptopit të kërkuar nga Komuna janë të tipit HP, ndërsa modeli është 250 G6. Këta laptopë janë të prodhuar në vitin 2014, sipas të dhënave në internet.
Komuna për këtë laptopë ka parashtruar edhe disa kërkesa specifike. Ata kanë kërkuar që të njëjtit të kenë ram-memorie 4 GB, ndërsa hard disku 500 GB. E fitues kishte dalë “Comtrade Computers O.K Prishtinë”, nga gjithsej 16 ofrues tenderësh.
Mirëpo, ky tender është anuluar, bëhet e ditur në njoftimin e përgatitur para dy ditësh. E arsyeja e anulimit, sipas njoftimit, për ritenderim i aktivitetit të prokurorimit.
Ndryshe, Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj të vitit 2018 për Komunën e Podujevës kishte gjetur se asamblistët e Komunës së Podujevës nuk i kishin kthyer laptopët.
Në raportin e Auditorit për vitin 2017, thuhet se 24 asamblistë të Podujevës nuk i kanë kthyer laptopët të cilët i kishin marrë në legjislaturën e kaluar.
Raporti i auditorit thoshte se vlera e mbetur e këtyre laptopëve pas zhvlerësimit të rregullt ishte 4,444€./Llapi.info