Komuna e Podujevës ka ndarë rreth 15 mijë euro për organizatën ‘Handikos’ me qendër në Podujevë. Ky vendim nga ekzekutivi ka bashkuar në një zë pozitë e opozitë në Kuvendin Komunal, shkruan Llapi.info
15 mijë euro do t’i ndahen kësaj organizate për periudhë njëvjeçare. Këtë propozim në Kuvend e ka dhënë drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Zaim Thaçi. “Propozimi për t’i dalë në ndihmë kësaj organizate vjen në shenjë të aktiviteteve të tyre të shenjtë”, ka thënë ndër tjerash Thaçi.
Në anën tjetër, Agron Hyseni nga LDK duke e përkrahur këtë vendim, ka theksuar se kjo ndihmë është e vogël në krahasim me nevojat që i ka kjo organizatë.
“Grupi i këshilltarëve të LDK-së e vlerëson pozitiv punën dhe angazhimin e organizatës ‘Handikos-Podujeva’. Kjo organizatë ka objektivin kryesor për të rritur njohjen dhe pjesëmarrjen e plotë për personat me aftësi të kufizuara në shoqëri. Është organizatë që merret me pajisjen me mjete ortopedike, sanitare dhe higjienike për personat me nevoja të veçanta. Andaj, ky projekt-propozim vlerësojmë se plotëson nevojat minimale të kësaj kategorie, ose të mbijetesës, duke pasur parasysh numrin e madh të anëtarëve ekzistuese. Me përkrahjen më të madhe ndaj kësaj kategorie, ne jo vetëm që përmirësojmë pozitën e tyre për një jetë më të dinjitetshme, por po ashtu përmirësojmë edhe imazhin tonë. Vlerësojmë se është një mbështetje e vogël në krahasim me nevojat që i ka kjo kategori e shoqërisë”, është shprehur Hyseni.
Këtë vendim e ka përkrahur edhe grupi i këshilltarëve të VV-së. Vendenis Lahu nga ky subjekt politik ka theksuar se ndihma për këtë organizatë është e domosdoshme.
“Jemi të njoftuar për shërbimet që ofron ‘Handikos’ dhe gjithashtu me nevojat që përballen kjo kategori e shoqërisë. Andaj, është e domosdoshme që t’i japim mbështetje qoftë morale e po ashtu edhe financiare. Lëvizja Vetëvendosje e mbështet këtë propozim për ndihmë financiare ndaj kësaj organizate. Mirëpo, mirë do të kishte qenë që kjo organizatë të vinte me një raport për punën për të cilën e bënë, me qëllim që të shohim nëse po arrin që me mjetet e ndara, po arrin t’i përmbyllin nevojat dhe shërbimet që ofrojnë. Në këtë formë, edhe t’i ngritim fondet”, ka thënë Lahu.
Edhe këshilltari nga radhët e PDK-së, Bashkim Syla, ka thënë edhe ky subjekt e përkrahë ndihmën ndaj organizatës Handikos, por që ka kërkuar të mbështeten edhe dy shoqata të dala nga lufta.
“Kjo kategori duhet të ndihmohet më shumë përmes programeve të ndryshme. Ka pasur disa projekte vitin e kaluar është mbështetur, mendoj se kjo duhet të zgjerohet, por njëkohësisht kërkoj që ekzekutivi të mbështet edhe dy shoqata të dala nga lufta”, ka thënë Syla.
Vendimit për t’i dalë në ndihmë kësaj organizate e ka mbështetur edhe Benjamin Ejupi nga Partia e Drejtësisë./Llapi.info