Komuna e Podujevës në vitin 2012, përkatësisht Drejtoria për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi, ka kaluar një vendim me anë të cilit pronave shoqërore në Podujevë i është ndërruar pronësia, duke ia kaluar Komunës së Podujevës këto prona.

 

Kështu ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së, Shemsi Jashari, nga rrjeti i OJQ-ve në Podujevë “DFK”, i cili tregon vazhdimin e këtij vendimi.

“Ministria e Administrimit Lokal ka dërguar një letër ku i ka thënë Komunës se nuk ka kompetenca që të ndërrojë emërimin e pronave, sepse është Agjencia e Kosovare e Privatizimit ajo që ka pronësinë e këtyre pronave”, ka thënë JasharI, duke shtuar se komuna nuk e ka respektuar këtë vendim, duke u ndalur tek prona e ish-ndërmarrjes “Fapol”.

Ajo pronë i është dhuruar një investitori gjerman me qira, i cili ka premtuar punësimin e mbi 600 punëtorëve.

“Në një pronë gjermanët kanë punuar gjashtë muaj dhe ka ndërruar pamjen e objektit dhe ka filluar investimin. Pas kësaj, kryetari Agim Veliu ka kërkuar të ndahet një parcelë në atë zonë për palestër. Kjo është kundërshtuar pak në Asamblenë e Podujevës, por ka kaluar si pikë. Ndërsa tash pritet vazhdimi i kontratës së AKP-së dhe investitorit gjerman”, ka shtuar Jashari, i cili thotë se për këtë ka reaguar në takim me Veliun edhe ambasadorja gjermane Angelika Viets.

Në atë takim, sipas Shemsi Jasharit, ambasadorja ka kërkuar që të mos ndodhë ndërtimi i palestrës në zonën e fabrikës, por kryetari Veliu është arsyetuar me vendimin e Kuvendit Komunal./Koha