Periudha e verës është ajo në të cilën qenët endacakë fillojnë të bredhin më shumë rrugëve të qytetit. Në mungesë të një strehimorje  dhe kujdesi ndaj tyre, këta qenë mund të shihen në qendër të qytetit,  sheshe, në oborr të spitalit e vende të ndryshme në të cilat frekuentohen nga banorët e qytetit të Podujevës.

Numri i shumtë i qenëve të cilët bredhin nëpër  rrugë, ka bërë që edhe një numër i madh i qytetarëve të ndihen të rrezikuar dhe të ankohen tek organet përgjegjëse për  ta, njofton Llapi.info.

Shefi i Drejtorisë për Shërbime Publike në Podujevë, Rasim Fejza, ka thënë për Llapi.info se janë në dijeni për rrezikun që vie nga këta qen. Ai tha se ka një kërkesë të madhe nga qytetarët dhe se ata  janë duke u munduar të gjejnë zgjidhje.

“Ka kërkesë të qytetarëve për zgjidhje. Deri tash kemi ndërhy tek ata qen  që kanë qenë të tërbuar dhe kanë paraqit rrezik. Jemi tu u munu me gjet zgjidhje të lejueshme për qenët endacak.  Vjet na është paraqit problem me ata qen që i kemi asgjësu.” tha Fejza.

Rasim Fejza tha për Llapi.info se përveq ankesave nga qytetarët ndaj këtyre qenëve  ankesa ka edhe nga  shumë institucine në Podujevë.

“Kemi kërkesa prej shumë institucioneve në Podujevë për zgjidhjen e këtij problem. Mirëpo ky është problem qendror  jo vetëm lokal. Nëse ne bëjmë zgjidhje lokale atëherë qentë endacak po vinë edhe prej vendeve tjera dhe numri i tyre prap po shumohet” shtoi ndër të tjera Fejza.

Për kërkimin e një zgjidhje për këta qen Fejza tha se nga drejtoria e tyre është bërë edhe një shkresë drejt Agjensioni të Ushqimit dhe Veterinarisë.

“Duke u bazuar në Ligjin për Përkujdesin ndaj Kafshëve nr.02/L-10 ju informojmë se e keni pëlqimin e AUV-së që të bëni kapjen kastrimi dhe sterilizimin e qenëve endacak. Vetëm në raste kur kafsha shpreh agresivitet lejohet eliminimi i tyre në mënyrë humane me preparate për eutanazi.” thuhet në përgjigjen e marrë nga AUV.

Tutje Rasim Fejza tha se zgjidhjen për këtë problem do ta bëjmë para fillimit të 1 shtatorit.

“Diçka do të ndërrmarim por akoma nuk kemi vendos se çka, por mendojmë që zgjidhjen do ta bëjmë para fillimit të mësimit më 1 shtrator.” tha Fejza./Llapi.info

Llapi.info ju sjell disa foto të qenëve endacak që bredhin qytetit të Podujevës.
5
1
2
3
4