Komuna e Podujevës ka hartuar një draft-rregullore të re për taksa, tarifa dhe gjoba komunale, shkruan Llapi.info.
Në lidhje me këtë, gjatë ditës së djeshme është mbajtur takim publike me qytetarë, ku morën pjesë edhe pronarë të bizneseve që shtrihen në Llap.
Drejtori për Buxhet dhe Financa në këtë Komunë, Fatlum Osmani, ka thënë se Rregullorja e vjetër për taksa, tarifa dhe gjoba komunale është në fuqi nga viti 2018.
Tutje, Osmani ka deklaruar se kjo rregullore do të jetë në diskutim publik përgjatë një muaji. Osmani ka thënë se kjo rregullore në vete ka ndryshime te taksat për ushtrimin e veprimtarisë, ku 98 për qind të bizneseve pothuajse janë të liruara nga kjo taksë.
Sipas Osmanit, në këtë përjashtohen disa biznese që konsiderohet se kanë një fitim shumë të lartë me bizneset tjera dhe është një taksë që konsiderojmë se është reale
Në bazë të kësaj rregulloreje, taksa më e lartë komunale vjetore për ushtrimin e veprimtarisë afariste dhe për shërbime profesionale është për lojëra të fatit 3 mijë euro (për çdo filial).
Nga 2 mijë euro është paraparë të paguajnë bankat, kompanitë e telekomunikimit-telefonisë mobile, kompanitë e shpërndarjes së internetit dhe rrjetit kabllor, terminalet doganore, qendrat e kontrollimeve teknike të automjeteve, qendrat tregtare mbi 2000m2, hotelet e restorante mbi 2000m2 dhe kompanitë e shpërndarjes së energjisë elektrike.
Me nga 1 mijë euro taksë komunale duhet të paguajnë kompanitë e sigurimit fizik të objekteve, qendrat tregtare 1000-2000m2 dhe hotelet e restorantet mbi 1000m2.
Për tjerat kategori të bizneseve çmimi i taksës është paraparë 500, 100 dhe 50 euro. Kjo draft-rregullore parasheh edhe çmimet e çdo takse tjetër komunale, qoftë për leje ndërtimore, për paraqitjen e kërkesave, certifikatave, kurorëzimeve, etj.
Pas këtij diskutimi publik, që do të zgjatë një muaj, kjo draft-rregullore do të procedohet në Kuvendin e Podujevës, ku këshilltarët komunalë do të votojnë pro ose kundër saj./Llapi.info